Balak: Ja pse ndaj Italisë, Gëce duhet të jetë titullar para Drakslerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2016 | 15:09

Balak: Ja pse ndaj Italisë, Gëce duhet të jetë titullar para Drakslerit

Ish-mesfushori dhe kapiteni i kombëtares gjermane, Mikael Balak, ka bërë një analizë të plotë të duelit mes Gjermanisë dhe Italisë, duke dhënë sugjerimet e tij për trajnerin Joakim Lëv. Sipas tij, Italia është e fortë, por vështirë se do të arrijë të përsëritë suksesin ndaj Spanjës.

balak

Analiza e plotë e Mikael Balak

Unë e them në këtë mënyrë: Me italianët nuk të shijon shumë mëngjesi… Si një gjerman, do kisha preferuar një tjetër kundërshtar dhe jo ata. Italianët na e bëjnë prej vitesh jetën shumë të vështirë. E kam konfirmuar këtë edhe nga përvoja personale. Ata kanë gjithnjë gati një plan, atë se si ta fitojnë ndeshjen. Taktikisht, janë ndërtuar gati në perfeksion, nuk janë aspak komodë për kundërshtarin dhe i njohin të gjitha hilet. Ata dinë gjithnjë se si fitohet një titull. Kundër tyre, e theksoj, do të jetë tmerrësisht e vështirë. Të shtunën unë pres një luftë deri në sekondën e fundit. Dhe ndeshja mund të shkojë deri në shtesë, ndoshta edhe te goditjet e penalltive.

Si mund t’i mposhtim?

Skuadrës gjermane i duhet vetëbesim. Ata do përpiqen të na lodhin që nga minuta e parë. Por kjo nuk duhet të na e humbasë durimin. Ne duhet të vrapojmë më shumë sesa bënë spanjollët, duhet të jemi në lëvizje gjatë gjithë kohës dhe t’i kemi nën kontroll në çdo moment. Ky mund të jetë sekreti i suksesit.

Diferencat

Për mua është e qartë se Gjermania ka më shumë cilësi se italianët. Por tani u takon lojtarëve kyç ta tregojnë këtë. Ata duhet të hyjnë në fushë dhe të bëjnë diferencën. Unë mendoj se këtë mund ta bëjë Tomas Myleri. Dakord, deri tani nuk ka shënuar ende. Por ai është lojtari që e di se turneu i vërtetë nis tani. Kur të shpërthejë ai, sepse ai di shumë mirë t’i mbajë të angazhuar italianët, duke krijuar hapësira, në fund mund të bëhet njeriu që do të vendosë fatin e ndeshjes.

Formacioni

Unë mendoj gjithashtu se edhe Mario Gëce duhet të jetë në fushë. Julian Draksler luajti shkëlqyeshëm ndaj Sllovakisë. Por Draksleri është një lojtar që i nevojiten 3 deri në 4 metra hapësirë që të ketë efikaset me driblimet e tij. Por këtë hapësirë nuk do ta ketë kurrë me italianët. Për këtë arsye unë mendoj se trajneri i Gjermanisë duhet të luajë me Gëcen titullar. Ai është një lojtar që falë teknikës dhe manovrës në hapësirat e ngushta, do të dijë ta vendosë në vështirësi mbrojtjen italiane. Prandaj për mua nuk do të ishte një surprizë sikur Lëv t’i besonte atij që nga fillimi. Por Lëv nuk duhet të ndryshojë gjë tjetër. Sepse kjo skuadër tregoi se funksionon. Bastian Shvajnshtaiger duhet të vazhdojë të bëjë durim, sepse Khedira dhe Kros shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Ata janë perfektë.

Rezultati

Unë besoj te një fitore e Gjermanisë. Jam kurioz të shoh nëse italianët do të tregojnë të njëjtën forcë si ndaj Spanjës. Në atë ndeshje ata ishin fantastikë. I pashë të uritur, sepse kishin humbur finalen e 2012- ës 4-0 ndaj spanjollëve dhe kërkonin hakmarrje. Dhe në fund ia arritën në mënyrë mbresëlënëse. Por unë kam dyshime që të shtunën ata do të arrijnë të tregojnë përsëri të njëjtën forcë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"