Baketboll femra/ Gjysmëfinalet e para të “Play Off”-it, Flamurtari dhe Partizani një fitore larg finaleve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2021 | 19:08

Baketboll femra/ Gjysmëfinalet e para të “Play Off”-it, Flamurtari dhe Partizani një fitore larg finaleve

Flamurtari dhe Partizani janë vetëm një fitore larg finaleve të “play off”-it, të vlefshme për kampionatin kombëtar në basketboll për femra. Vlonjatet e Erion Hoxhajt dhe kryeqytetaset e Ledina Koçit, ashtu sikurse pritej nuk falën në sfidat e para gjysmëfinale, duke mundur respektivisht Studentin dhe Tiranën, në takimet e zhvilluara mbrëmjen e së shtunës.

FL

FLAMURTARI-STUDENTI

Asnjë surprizë më pallatin e sportit “Flamurtari”, aty ku vendëset vijuan ecurinë perfekte, duke regjistruar triumfin e radhës në kampionat, për ta ruajtur pathyeshmërinë. Flamurtari e dominoi totalisht ndeshjen ndaj Studentit dhe për këtë një tregues i qartë është rezultati 90-41 në favor të vlonjateve. Bregdetaret u futën në parket të vendosura dhe e kishin vlerësuar maksimalisht takimin. Suksesi hipotekohet që në pjesën e parë, me vendëset që kryesonin 52-21. Diferenca e pikëve shkoi në +49 kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi, diferencë që nuk ndryshon në periodën e katërt, me Flamurtarin që bën ‘zbritje marshi’. Si gjithnjë më të mirat për skuadrën vlonjate rezultuan lojtaret e huaja, Omerbasiç, Kirberg dhe Sariç. E para shënoi 27 pikë, e dyta 26 dhe e treta 22. Te Studenti dopioshifër pikësh preku vetëm Marsida Shima (10).

PART

PARTIZANI-TIRANA

Vijon momenti i artë për Partizanin edhe pse derbi i parë gjysmëfinal nuk nisi më mënyrën të mirë për të kuqet. Skuadra e Ledina Koçit mposhti Tiranën me rezultatin 100-83 në takimin e zhvilluar në “Asllan Rusi”, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt finales. Decizive për të kuqet rezultuan perioda e dytë dhe e tretë, në të cilat i vendos edhe fati i ndeshjes. Sfida nisi më mirë për vajzat bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj, të cilat befasuan duke fituar periodën e parë 15-25. Megjithatë, Partizani u zgjua pas pushimit, për të reaguar furishëm. Të kuqet u treguan të papërmbajtshme në sulm, duke triumfuar në dy periodat pasardhëse respektivisht në shifrat 35-14 dhe 31-23. Perioda e fundit ishte më e ekuilibruat, me Tiranën që fitoi 19-21, por në shifra të përgjithshme suksesi shkoi për Partizanin. Me 24 pikë dhe 4 ribaunde, Aida Palko ishte lojtarja e ndeshjes për Partizanin, ndërsa për Tianën nuk mjaftuan 28 pikët e të zakonshmes Klea Verri. Të mërkurën në orën 19:00 do të luhen gjysmëfinalet e dyta, ku në rast të fitoreje Flamurtari dhe Partizani sigurojnë finalet.

SK

ARTIN LLESHAJ/ ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"