Bakaj merr topin në shtëpi: I lumtur për kthesën dhe golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2016 | 9:30

Bakaj merr topin në shtëpi: I lumtur për kthesën dhe golat

bakajElis Bakaj merr topin në shtëpi. Por sulmuesi, më shumë sesa tripletës, i gëzohet kthesës së Tiranës. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi beson se Europa është e mundshme dhe sidomos me rikthimet që priten me Laçin.

Shënuat tri herë dhe normalisht duhet të merrni topin pas ndeshjes. Sa kishit pa e bërë diçka të tillë?

E rëndësishme është që ekipi fitoi dhe që unë u riktheva, pasi është vetëm ndeshja e dytë për mua. Kjo, pasi me Partizanin zëre se nuk isha duke qenë se luajta vetëm pesë minuta. Në ndeshjen e dytë u riktheva edhe te goli, duke ditur që nuk është as pozicioni im. Prej kohësh po sakrifikoj që luaj në një rol të përshtatur. Uroj dhe shpresoj që të arrijmë objektivat deri në fund.

Kjo fitore a jep optimizëm për vazhdimësinë?

E lehtë nuk është dhe kjo fitore na jep optimizëm. Mua personalisht më jep shpresa fakti që ditaditës po rikuperojmë lojtarët, kur dihet që na kanë penalizuar shumë dëmtimet. Pa përmendur emra, por janë shumë lojtarë cilësorë që na kanë munguar. Edhe unë, apo dikush tjetër nga ekipi nuk kemi qenë në 100% të formës sot (dje) për shkak të dhimbjeve, apo duke sakrifikuar dhe luajtur me gjilpëra, por e theksoj edhe një herë që e rëndësishme është që fituam. Të presim ndeshjen e radhës në të cilën synojmë sërish trepikëshin.

Në momentin që shënuat, tifozët protestuan me një dron. E patë?

Nuk e kam vënë re. Ne si klub bëjmë punën tonë. Mesazhi ishte “Borxhi më i madh është ndaj tifozëve”… Di që presidenti ynë ka bërë të pamundurën që ky klub të jetë në maja. Nuk mund të them asgjë rreth kësaj. Çdo njeri ka të drejtë që të shprehë atë që mendon në forma të ndryshme.

Përveç fatit tuaj, keni në dorë edhe atë të rivalëve, duke qenë se mund të thuhet se “kampionati kalon nga këmbët e Tiranës”. Ju stimulon më shumë ky fakt?

Nuk mund ta them këtë. Ne do të bëjmë punën tonë dhe do të hyjmë në çdo ndeshje për trepikëshin tonë.

Partizani dhe Skënderbeu respektivisht presin që të ndalni rivalin…

Na intereson vetëm ecuria jonë. Të tjerët, pak rëndësi kanë për ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"