Bakaj firmosi te RNK Split për dy vite, ja paga që do të marrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2016 | 15:27

Bakaj firmosi te RNK Split për dy vite, ja paga që do të marrë

Elis Bakaj firmos në Kroaci. Fantazisti ka zgjedhur RNK Splitin për të vazhduar të ardhmen e tij. Vetëm dje ai ka nënshkruar një kontratë 2- vjeçare me klubin kroat, duke zyrtarizuar kështu “divorcin” përfundimtar me Tiranën dhe shuar shpresat e klubit për ta pasur në ekip të paktën për Ligën e Europës.

ImageGen-470x298Edhe pse FC Perak ishte në pritje të tij (klub që i pat ofruar 300 mijë dollarë për 1.5 vite), lojtari ka vendosur që karrierën e tij ta vijojë në Europë. Afërsia gjeografike, por edhe oferta tejet joshëse financiare ka bërë që bomberi i kryeqytetasve të marrë rrugën drejt Kroacisë dhe të “anulojë” biletën për në Malajzi.

Mësohet se ai do të përfitojë për një sezon afro 250 mijë euro, ndërsa për dy vite shuma në total shkon afro 500 mijë euro. Shifër kjo e cila kurrsesi nuk mund të merrte një “jo” nga mesfushori me tipare sulmuese.

Ai në Split nuk do të gjejë terren të panjohur, pasi atje e pret pikërisht Amir Rrahmani. Fill pas firmës, ai ka folur edhe për faqen zyrtare të klubit kroat, ku ka deklaruar se do ishte zhgënjim nëse do të shënonte më pak se 10 gola.

Nga ana tjetër, ai i hap sfidë vetes, ndërsa e thotë hapur se do të ndjekë gjurmët e Cikalleshit dhe Balës, të cilët kanë luajtur për kroatët më herët. “Jam i lumtur për firmën, e njoh mirë Splitin falë Rrahmanit dhe shpresoj ta shpërblej besimin. Nuk dua të zhgënjej drejtuesit e klubit dhe do të mundohem t’i shpërblej me golat e mi.

Nëse do të shënoj më pak se 10 gola në sezonin e parë, do ta cilësoj një zhgënjim të madh. E di që Cikalleshi dhe Rrahmani kanë bërë një karrierë të mirë këtu dhe dua të vazhdoj në gjurmët e tyre. Kam shumë eksperiencë dhe besoj se mund ta ndihmoj Splitin.

Këto ditë do të kthehem në Shqipëri, por të martën do të jem prapë këtu për t’u stërvitur me ekipin. E di që kemi shumë punë për të bërë, duhet të punojmë për t’u bërë gati për sezonin e ardhshëm”, kanë qenë këto fjalët e para të Bakajt si lojtar i RNK Splitit.

Lajmin ai e komunikoi edhe vetë në rrjete sociale, duke e shoqëruar me një foto ku mbante veshur fanellën e re. Në dy sezone me Tiranën, Bakaj realizoi plot 27 gola në kampionat, përkatësisht 13 në vitin e parë dhe 14 gola edicionin e fundit. Sakaq, edhe këtë vit i mbetet që të mos luajë në Europë, duket qenë se kroatët e mbyllën sezonin e fundit në vend të gjashtë të klasifikimit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"