Bakaj e Shameti në luftë me kohën, Gjici apel skuadrës: Dua fitore ndaj korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 14:39

Bakaj e Shameti në luftë me kohën, Gjici apel skuadrës: Dua fitore ndaj korçarëve

Kukësi shkon në takimin ndaj Skënderbeut me një moral të lartë, pasi ka marrë tre rezultate mjaft të mira në dy javë. Kthesa e Kukësit erdhi në sfidën ndaj Partizanit, ku verilindorët kuptuan se janë ata kampionët në fuqi të Shqipërisë, ndaj do sillen si të tillë dhe në fushë.

Kukesi-Skenderbeu

Por, ndërkohë po del parashikimi i trajnerit Milinkoviç, i cili deklaroi para ndeshjes me Laçin se ekipit të tij i duhen 2-3 fitore që të kalojë ngërçin psikologjik dhe situata të kthehet në favorin e Kukësit.

Kukesi

Gjithashtu, po kaq takime i duheshin ekipit që të vinte në nivelin e lojës që trajneri kërkon. Fitorja e thellë me Laçin dhe “pokeri” ndaj Egnatias në Kupë e kanë ngritur shumë moralin te verilindorët. Edhe presidenti Gjici ka mbetur i kënaqur me stafin e lojtarët dhe ditën e djeshme i ka kërkuar stafit teknik se ekipi duhet të vazhdojë në këtë rrugë, pasi ky është Kukësi që ai do.

gjici

Ndërkohë, presidenti i ka dhënë urdhër stafit administrativ dhe teknik se duhet të jenë në gatishmëri këto ditë, të punojnë fort me ekipin, me qëllim që të jenë të gatshëm për ndeshjen e së hënës. Numri një i klubit ka kërkuar fitore ndaj Skënderbeut, pasi Kukësi ka në avantazh formën e mirë që po kalon dhe të shfrytëzojë edhe lodhjen e kundërshtarit, pas ndeshjes në Europa Ligë. Meraku i presidentit Gjici është situata e dëmtimeve, ku Shameti dhe Bakaj shqetësojnë më shumë.

SITUATA E DËMTIMEVE

Para ndeshjes me Laçin trajneri Milinkoviç e kishte ekipin të plotë, por pas kësaj sfide tre lojtarë patën probleme të theksuara fizike. Kukësi bëri tre gola, por humbi tre lojtarë përkohësisht. Shameti, Hallaçi dhe Koliçi dolën të dëmtuar nga ajo ndeshje dhe, mbas tri ditësh pushim, dy të fundit u rikthyen dje në stërvitje, kurse Shameti vazhdon të bëjë terapi.

shameti bakaj

33-vjeçari po zhvillon fizioterapi intensive me qëllim rikuperim në kohë, por jo çdo gjë është në dorë të tij. Drejtuesit e duan me çdo kusht në fushë, por lideri i mbrojtjes është në luftë me kohën.

Përveç Shametit, në seancën e djeshme stërvitore ka munguar edhe Elis Bakaj, i cili u dëmtua në ndeshjen e Kupës ndaj Egnatias. 30-vjeçari ka kryer kontrollet mjekësore dhe pret të marrë përgjigjen.

bakaj

Gjithsesi, drejtuesit e klubit pohojnë se Bakaj nuk ka lëndim serioz, por lojtari pret përgjigjen e mjekëve, pasi nuk do që të rrezikojë. Gjithsesi, Bakaj është në luftë me kohën, pasi përballja me Skënderbeun luhet të hënën, në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"