Bakaj: Dënim i ekzagjeruar për Skënderbeun, ju tregoj jetesën me komunistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 22:42

Bakaj: Dënim i ekzagjeruar për Skënderbeun, ju tregoj jetesën me komunistët

Ishte golashënuesi më i mirë i Kukësit, por një ofertë e mirë financiare për arkat e klubit kampion në fuqi dhe një mundësi e mirë personale, bënë që Elis Bakaj të transferohej në Bjellorusi te Shahtjor Soligorsk.

Bakaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese tregon jetesën në një vend komunist, përshtatjen në ekipin e ri, objektivat, si dhe problemet me ushqimet vendëse. Gjatë fjalës së tij, Bakaj bën prognozën e supersfidës së kësaj jave në Superiore, ku ish-ekipi i tij Kukësi do të presë Partizanin. Ndër të tjera, ai komenton edhe ndëshkimin e UEFA-s ndaj Skënderbeut.

bakaj-470x258

Bakaj, si është skuadra e re dhe si ju kanë pritur?

Shumë mirë. Më kanë pritur mjaft mirë në ekip dhe kjo më bën të ndihem sikur kam shumë kohë në këtë skuadër.

Çfarë ndryshon nga Shqipëria apo vendet e tjera ku keni luajtur?

Nuk vë re ndryshime shumë të mëdha. Kam qenë afro tri vite në Ukrainë dhe pak a shumë është i njëjti mentalitet.

Si është jetesa në një vend komunist?

Jetesa është më se normale. Nuk ka lidhje me mënyrën e qeverisjes. Çdo njeri bën atë që do. Qyteti nuk është i madh, por ka gjerat e nevojshme për të jetuar mirë.

Po ushqimi, çfarë gatimesh tradicionale ka dhe sa jeni ambientuar?

Në fakt, është pak vështirë, pasi kanë gatime që nuk kanë lidhje me vendin tonë. Megjithatë, ka restorante, të cilat ofrojnë gatime të ngjashme me ne.

Çfarë ndodhi në fillim me ju, pse u vonua pagesa e transferimit?

Prisja vetëm që të më dilnin dokumentet e punës. Vonuan pak, por unë isha në kohë për debutimin në kampionat. Deri më tani, në dy ndeshjet e para, kam luajtur nga 90 minuta dhe kam dhënë një asist.

Çfarë përshtypje kanë për shqiptarët?

Nuk e di nëse jam i pari apo nëse ka pasur të tjerë shqiptarë që kanë luajtur këtu. Megjithatë, kanë përshtypje të mira.

A mendoni se janë kushtet për të qëndruar gjatë atje?

Pse jo?! Unë tani kam eksperiencë në shumë vende të ndryshme dhe nuk kam më asnjë problem për t’u ambientuar. E thashë edhe në fillim që ndihem shumë mirë këtu.

Cilat janë objektivat e skuadrës?

Është një ekip, i cili është ndërtuar për të arritur në tri vendet e para, ky është objektivi. Sigurisht, maksimumi do të ishte nëse ia dalim që të shpallemi kampionë.

Po i juaji personal, çfarë kërkoni nga vetja si synim?

Nuk kam asnjë objektiv për veten, por normalisht kërkoj që të jap më të mirën time. Dua që të ndihmoj sa më shumë skuadrën me asiste apo me gola të shënuar.

A ka ndonjë traditë të veçantë apo rregull strikt në ekip që ju ka bërë përshtypje?

Nuk ka asgjë strikte. Ajo që mund të konsiderohet si e tillë, është që në këto vende korrektësia ka rëndësi primare.

Këtë javë luhet KukësiPartizani. Ju i njihni ekipet, sa mendoni se do të vendosë për vendin e dytë?

Sipas meje, nuk do të vendosë, por do të jetë shumë e rëndësishme. Unë i njoh të dyja ekipet dhe jam shumë i sigurt që Kukësi e fiton ndeshjen. Ka lojtarë me më shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe me më shumë cilësi.

A e prisnit një dënim të tillë për Skënderbeun?

Ajo që mund të them, është se nuk është aspak i mirë për futbollin shqiptar ky dënim. Në vitet e fundit, futbolli ynë ka bërë hapa përpara dhe nuk i bën aspak reklamë të mirë.

Sipas jush, a është i drejtë një dënim i tillë drastik?

Për mendimin tim, ishte i ekzagjeruar. Megjithatë, nuk jam kompetent për të gjykuar nëse ishte i drejt apo jo.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"