Bajerni u kthye, por Riberi bëhet sërish çështje. Ja situata me veteranin francez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 20:45

Bajerni u kthye, por Riberi bëhet sërish çështje. Ja situata me veteranin francez

Më në fund, ditën e shtunë Bajerni i Mynihut u rikthye të shijojë një fitore që mungonte pas katër ndeshjesh radhazi. Dy humbjet e fundit në kampionat kishin lënë një shije të hidhur tek i gjithë ambienti bavarez. Tifozët kishin filluar të vërshëllenin trajnerin Kovaç edhe kur ky shkonte për të parë një ndeshje të basketbollit. Bajerni tregoi ndaj Volfsburgut se ka ende nën lëkurë krenarinë dhe shkëlqimin e një skuadre të ndërtuar për të fituar.

franck-ribery-600

Dominim në lojë dhe spektakël në sy të 30 mijë tifozëve kundërshtarë. Trajneri Kovaç u duk shumë i lehtësuar pas ndeshjes, duke falënderuar lojtarët për impenjimin në fushën e lojës. U duk sikur “ulërima” e Hënes dhe Rumeniges shërbeu për të ndezur zjarrin te lojtarët, të cilët morën flakë menjëherë, duke mundur një kundërshtar të fortë në fushën e tij. Robert Levandovski tregoi se është aty kur duhet për skuadrën. Dy drejtuesit kryesorë, Hënes dhe Rumenige, shijuan në heshtje fitoren për të treguar se skuadra bëri vetëm detyrën ndaj Volfsburgut dhe se pjesa më e vështirë vjen tani. Ndeshja e radhës është në Athinë ndaj AEK-ut për Champions. Një fitore pas barazimit me Ajaksin në shtëpi do të ishte mënyra më e mirë për të qëndruar i qetë. Tani skuadra duket se ka gjetur ekuilibrat dhe pushimi dyjavor i ka bërë mirë skuadrës.

Riberi kthehet në çështje – Duket se nuk do të marrin fund kurrë problemet për trajnerin Kovaç. Pas Robenit tani është Frank Riberi që nuk ka qenë i kënaqur me qëndrimin e tij në stol. Francezi ishte shumë i vrenjtur në fytyrë dhe hipi i pari në autobusin e skuadrës. Nuk dha asnjë deklaratë para mediave, madje asnjë buzëqeshje edhe pse Bajerni kishte fituar 1-3. Dhimbje koke pa dyshim për trajnerin kroat që tani duhet të mbajë të lumtur edhe veteranët e skuadrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"