Bajerni nuk “qan” Vidalin, ka shtatë gladiatorë në ekip. Artileria e frikshme e trajnerit Kovaç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2018 | 20:11

Bajerni nuk “qan” Vidalin, ka shtatë gladiatorë në ekip. Artileria e frikshme e trajnerit Kovaç

Pas tri sezoneve të suksesshme në Mynih me Bajernin, Arturo Vidal i është bashkuar skuadrës së Barcelonës në Spanjë. Mesfushori, që është i njohur për lojën e fortë, nuk do të jetë më “luftëtari” i bavarezëve, ashtu siç njihej nga tifozët në Gjermani. Edhe pse shumë vetë pyesin veten që pse Bajerni lejoi largimin e kilianit pas shumë sukseseve me të, përgjigjja është shumë e qartë. Mjaftn të shohësh organikën në skuadrën kampione të Gjermanisë.

Plotë shtatë mesfushorë të rinj në moshë dhe me eksperiencë mund të jenë idealë në misionin për të bërë që largimi i “luftëtarit” të mos ndihet fare. Po kush janë këta shtatë lojtarë? Faqja zyrtare e Bundesligës i ka bërë një skaner të hollësishëm mesfushës potente të bavarezëve.

bajern

Hames Rodrigez (27 vjeç)

Mesfushori kolumbian, që fitoi “Këpucën e Artë” në Botërorin e “Brazil 2014”, u transferua nga Reali i Madridit para dy sezoneve dhe tani vazhdon të jetë një lojtar i Bajernit. Gjermanët mundën konkurrencën e shumë klubeve të mëdha në Europë që kërkonin shërbimet e tij. Mesfushori nuk u tundua as në këtë merkato vere për t’u rikthyer në Madrid. Ai është një lojtar kyç në lojën e trajnerit Niko Kovaç.

Korentino Toliso (23 vjeç)

Lojtari që sapo u shpall kampion bote me Francën në Rusi është blerja më e shtrenjtë e skuadrës në sezonin e shkuar. 90% të pasimeve në sezonin e fundit ishin të sakta dhe 51% ajo e dueleve të fituara. Një lojtar punëtor që specialitetit të tijin ka goditjet jashtë zone. I pëlqen të luajë afër sulmit dhe gjithmonë ka një prekje të topit që kthehet në rrezik për kundërshtarin dhe mundësi për sulmuesit e skuadrës së tij.

Tiago Alkantara (27 vjeç)

Mjeshtri i pasimeve, siç e thërrasin në Mynih, ka një mesatare prej 92% të pasimeve të sakta të tij gjatë një ndeshjeje. Është kreativ dhe në lojën e trajnerit Hejnkes në sezonin e fundit ishte protagonist i një futbolli atraktiv në “Allianz Arena”. Një magjistar i vërtetë që së bashku me Hames mund të krijojnë një sistem loje te Bajerni ashtu si ai i Barcelonës. Nëse vendos të qëndrojë, do të jetë blerja më e mirë e Bajernit në këtë merkato.

Renato Sançez (20 vjeç)

Portugezi që u largua në formë huazimi te Svansi në Angli sezonin e fundit është kthyer sërish me kërkesë të trajnerit Niko Kovaç. Ai kërkon t’i japë një shans të dytë lojtarit për të treguar veten. Portugezi ka filluar përgatitjet për sezonin e ri që në fillim të muajit korrik dhe ka shfaqur një formë të mirë në miqësoret e zhvilluara në Amerikë, edhe pse në ndeshjen e fundit nuk luajti për shkak të një dëmtimi në mes. Fizikisht është shumë i fortë, ka shpejtësi dhe Kovaç shpreson që këto aftësi t’i shprehë në fushën e lojës, për t’u rikthyer tek ai Sançez që të gjithë kujtojnë te Benfika, një talent i pastër.

Havi Martinez (29 vjeç)

Spanjolli është një zëvendësues i Ksabi Alonsos, edhe pse kjo vetëm në mënyrë figurative të fjalës. Mesfushori ka fituar në sezonin e fundit 57.2% të dyluftimeve dhe ka një mesatare prej 93% të pasimeve të sakta. U mor në kohën e Pep Guardiolës, ai i mbijetoi edhe asaj të Karlo Ançelotit. Martinez mund të kryejë më shumë se një rol. Shumë ndeshje ai i ka luajtur në qendër të mbrojtjes. Një siguri absolute në prapavijë. Spanjolli kishte një mesatare më të mirë se Vidal dhe këtë e tregojnë qartë statistikat. Është gjithmonë aty në goditje standarde, duke shënuar herë pas here për bavarezët. Trajneri Kovaç është ende i paqartë se në çfarë pozicioni do ta vendosë lojtarin, një problem ky që nuk do t’i duhet shumë kohë për ta zgjidhur, Havi luan kudo!

Leon Gorecka (23 vjeç)

Lojtari që u prezantua ditën e enjte me Bajernin është një nga mesfushorët më premtues në Gjermani. Sezonin e kaluar ai luajti me skuadrën e Shalke 04 duke goditur 46 herë kuadratin e portës. Ai ka treguar se në rolin e tij është një lojtar i kompletuar dhe është gati të luajë në një skuadër të madhe si Bajerni. Gorecka krahasohet me Lotar Mateusin dhe Miakle Balak. Trajneri Kovaç është në kërkim të një pozicioni ideal për lojtarin, por pa dyshim që ai do të ketë shansin të tregojë se sa vlen. Gjatë sezonit, Bajerni do të jetë në garë në tri kompeticione dhe rrotacioni do të jetë i nevojshëm për trajnerin.

Sebastian Rudi (28 vjeç)

Lojtari kishte një mesatare në pasim prej 90.6% në sezonin 2017-2018. Por lojtari shfaqi shumë oscilacione gjatë kohës në Mynih, kjo për faktin se luante sezonin e parë të tij me fanellën e Bajernit. Rudi është një lojtar që krijon shumë, por njëkohësisht edhe ndihmon skuadrën në repartin defensiv. Gjithsesi, ai mund të jetë viktima e parë në mesfushë për të luajtur më pak minuta se shokët e tij. Konkurrenca e madhe mund ta detyrojë atë të largohet një janar. Lajpcig ka shfaqur interes gjatë këtij muaji duke kërkuar shërbimet e lojtarit të kombëtares gjermane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"