Bajerni ngre siparin e Bundesligës, Flik: Nuk e kemi humbur formën, urime Klopit për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 18, 2020 | 15:28


Bajerni ngre siparin e Bundesligës, Flik: Nuk e kemi humbur formën, urime Klopit për…

Sezon i ri, objektiva të rinj. Bajerni ngre si parin e Bundesligës 2020-’21 sonte në “Allianz Arena” kundër Shalkes, ku pritet të debutojë me shumë mundësi nga minuta e parë edhe Leroi Sane, duke qenë se Koman është në karantinë. Në konferencën për shtyp, trajneri Hansi Flik konfirmoi largimin e Tiagos drejt Liverpulit, komentoi çështjen “Alaba”, por edhe mundësinë e afrimeve të reja këtë verë te fituesit e tripletës.

Flik

Po e nisim me lamtumirën e Tiagos. Klubi konfirmoi largimin drejt Liverpulit.

Tiago ishte një futbollist i jashtëzakonshëm. Ai ishte shumë i rëndësishëm për skuadrën, një lojtar dhe njeri i shkëlqyer. Mundem vetëm ta uroj Jyrgen Klopin. Jemi optimistë se mund të bëjmë ende diçka në merkato. Humbëm shumë cilësi me largimin e tij. Unë u përpoqa t’i ndryshoja mendjen, por ai donte një aventurë të re. Ndarja ishte shumë emocionale. Toliso mund ta zëvendësojë shumë mirë.

Jeni të kënaqur që më në fund tifozët rikthehen në stadium?

Ne duhet të respektojmë rregullat (mëson gjatë konferencës se sot do të luhet pa tifozë)… Atëherë fshijeni çfarë thashë më sipër. Ne duhet të përshtatemi me rrethanat. Ishte vendimi i kryetarit të bashkisë për shkak të numrit të lartë të infektimeve? Ndoshta edhe unë do të bëja të njëjtën gjë.

Si është gjendja fizike e skuadrës në këtë ndeshje të parë?

Nuk e kemi humbur aspak formën.

Për shkak të kalendarit të ngjeshur, Gorecka hodhi idenë që Bajerni duhet ta ndryshojë pak stilin e lojës, sa i përket mënyrës së të bërit presing…

Jam dakord me Leon, por ideja bazë e presingut nuk do të ndryshohet.

Flik3

A ekziston rreziku që Bajerni ta nënvlerësojë Shalken? Kë mendoni se do të nënvlerësojmë, Shalken?

Nesër (sot) do të kemi përballë një kundërshtar që beson në shanset e tij.

A është gati Leroi Sane për të luajtur?

Ai luajti me Gjermaninë, përse të mos jetë gati për të luajtur për ne?

Shumë probleme po has rinovimi i Alabës. Mendoni se do të qëndrojë në klub përtej këtij sezoni?

Unë mund të them vetëm fjalët më të mira për të. Ai është shumë i rëndësishëm për skuadrën jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ai është një nga më të mirët në rolin e tij të ri si qendërmbrojtës. E ka dërguar këtë pozicion në një tjetër nivel. Do të më pëlqente që të dyja palët ta zgjidhnin këtë situatë.

Si është gjendja e Komanit?

Duhet të qëndrojë në karantinë edhe një tjetër javë, por nuk e kuptoj kur testet dalin negative.

ANDROKLI DRALO- PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com