Bajerni më i dobët i tetë viteve të fundit, por premtohet rikthimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2018 | 20:23

Bajerni më i dobët i tetë viteve të fundit, por premtohet rikthimi

Nëse ka një ngushëllim për Bajernin këtë javë, është se gjërat nuk janë edhe aq keq sa për të anuluar “Oktoberfest”-in. Bajerni nuk ka arritur në këtë pikë që prej vitit 2010, kur skuadra e Luis Van Galit renditej 13 pikë pas kryesuesve të Dortmundit në këtë kohë të vitit dhe festa tradicionale e birrës anulohej përmes një njoftimi të shkurtër. Tetë vite më pas, Bajerni renditet vetëm 4 pikë pas verdhezinjve dhe disa buzëqeshje të rezervuara u panë kur lojtarët u shfaqën të dielën në drekën e përvitshme të “Oktoberfest”- it.

bajerni i mynihut

Megjithatë, edhe disa litra birre joalkoolike nuk ndihmuan për të ngritur moralin. “Sigurisht që ka pasur ditë më të bukura për të shkuar në ‘Oktoberfest'”, tha kapiteni Manuel Nojer: “Por ne duhet të përballemi me situatën dhe pranojmë seriozitetin e saj”. Kampionët, të cilët i fituan titujt e 6 viteve të fundit me diferencë të madhe nga ndjekësit, e konsiderojnë krizë rënien nga vendi i parë. Dhe fitorja 6- 0 e Lajpcigut të dielën ndaj Nurembergut bëri që rekordmenët të zbresin në vend të 6.

Është një krizë e shpejtë, e cila arriti të bëhet shqetësuese brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas startit dominues të sezonit, një gol i vonë ndaj Augsburgut solli lënien e 2 pikëve, përpara se të mundeshin nga Herta e Berlinit. Kundër Ajaksit në Champions, ata u dukën se do të riktheheshin në ditët më të mira, përpara se të fikeshin me kalimin e minutave dhe lënë përsëri pikë. Kur Gladbahu u largua nga qyteti të shtunën, Bajerni dukej i dorëzuar. “Nuk më kujtohet një Bajern që luan kaq keq sa ky”, tha legjenda Lotar Mateus nga kolltuku i “Sky Sport Deutchland”. “Ata thjesht duken sikur nuk kanë asnjë zgjidhje”.

Dhe si për t’i dhënë të drejtë Mateusit, kamerat e transmetuesit rival “DAZN” arritën të filmojnë një bisedë të lojtarëve të Bajernit në tunel, gjatë pushimit të pjesës së parë. “Nuk e di, ata kanë 8 vetë në mesfushë, do të jetë e vështirë”, u kap duke thënë Mats Humels. Edhe me 45 minuta në dispozicion, Bajerni papritur kishte frikë nga rivali. Arroganca e tyre e famshme dhe refuzimi për të pranuar se janë mposhtur dukeshin dy cilësi që ishin bërë pluhur e hi. Me pushimin e kombëtareve përpara, trajneri Kovaç do të ketë kohë për të gjetur përgjigjen e pikëpyetjeve të tij.

Të dielën, stafi teknik kishte një mbledhje me drejtorin sportiv, Salihamixhiç, dhe Kovaç e di se duhet të gjejë sa më shpejt zgjidhjet për ta salduar me të vërtetë stolin e tij. Hija e Zidanit ka nisur të përmendet në Gjermani, por edhe emri i Arsen Vengerit është një tjetër alternativë. Nuk është një sekret që drejtuesit e Bajernit e kanë admiruar gjithnjë ishtrajnerin e Arsenalit. Në mënyrë të pashmangshme, media sociale bën humor edhe me një dalje të radhës së Hejnkesit nga pensioni.

Gjërat mund të ndryshojnë shpejt dhe pavarësisht se Kovaç dashurohet nga tifozët, media dhe drejtuesit e klubit, ai do të jetë në telashe nëse humbet mbështetjen e lojtarëve. Gjërat nuk janë ende në këtë pikë, por nuk janë as mirë. Hames Rodrigez është një nga zërat më kritikë deri tani. Por kolumbiani nuk është i vetmi lojtar që nuk është i lumtur me metodat e stërvitjes së kroatit.

Trajneri i ri është përballur edhe me pakënaqësi për politikën e rrotacionit, të cilën ai e ka mbrojtur me kufizimet e lojtarëve. Edhe ai e di mirë se nëse gjërat nuk ndryshojnë, atëherë Bajerni do të ndiejë vapë në dimër. Ata mund të mos e kenë anuluar festën e tetorit, por nëse janë të gjashtit në dhjetor, mund të vini bast që do anulojnë atë të Krishtlindjeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"