Bajerni kërkon të rikthehet te fitorja, Nagelsman: Këlni të përgatitet, përndryshe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 13:44

Bajerni kërkon të rikthehet te fitorja, Nagelsman: Këlni të përgatitet, përndryshe…

Bajerni i Mynihut ende nuk e ka shi juar fitoren në këtë vit të ri kalendarik. Salcburgu në miqësore dhe Lajpcigu në kampionat u bënë pengesë, e përkthyer me barazime. Edhe pse e para luajti rolin e një testi, “Demat” shërbyen si prova e vërtetë për të kuptuar gjendjen e grupit.

NAGELSMAN

Gjithsesi, përtej atmosferës jo aq pozitive në “Allianz Arena”, aty ku edhe një barazim merr nuancat e humbjes nga pritshmëritë e bavarezëve, Nagelsman ka dashur t’i japë nota të qeta vazhdimësie dhe mbrojtjen e ekipit nga sulmet e medias.

35-vjeçari është ndalur te shkaqet e barazimit në “RedBull Arena”, rivali i sotëm, goleadat e tyre dhe çfarë i pret në tempullin e vet. Pa anashkaluar edhe pjesën e formacionit, së bashku me dy situata të ndryshme, njëra mbi aktivizimin si titullar të Mylerit e tjetra nga veprimet e çuditshme në një moment të tillë nga Serzh Gnabri.

“DRAMA” NË LAJPCIG ”Shërben si shembull i mirë për të rikuperuar gabimet nga takimi i fundit. Nuk ishim ai Bajerni optimal në shfrytëzimin e rasteve dhe organizimin e lojës. Mbase edhe tifozëria e zjarrtë e vendësve luajti pjesën e saj. Pjesa e dytë më pas na prishi gjithë strukturën menaxhuese. Humbja e ritmit u kthye në kryefjalë, e cila ndikon në gjithë interpretimin tonë, aq më pak ndaj një kundërshtari të rrezikshëm në daljet e shpejta. Sigurisht mund të bënim më mirë, por ja që barazimi ishte rezultati përfundimtar”.

RIVALI ”Suksesi me shifra të thella ndaj Verderit tregon se ata janë të etur, ndonëse kundërshtarët kanë shumë rëndësi. Do t’i analizoj me kujdes se si u krijua ajo goleadë dhe ku buron gjithë ky frymëzim rastesh. Nëse do të gjeja një frazë në përkufizimin e lojës së tyre do të ishte pa diskutim guximi. Të shënosh shtatë gola nuk është e lehtë, por nuk duhet të harrojmë se ata mund edhe të pësojnë 4 apo më shumë në katërkëndëshin e tyre, kështu që u them të bëjnë kujdes”, pohoi mes buzëqeshjes kërcënuese Nagelsman.

POZITA E MYLERIT ”Përzgjedhja e futbollistëve bazë nuk vjen vetëm si rezultat i formës individuale të çdokujt, por edhe në varësi të ndërtimit të skemës krahas kundërshtarit. Askush nuk ka pse shqetësohet mbi lënien jashtë të Tomasit në takimin hapës ndaj Lajpcigut. Ai është dhe do të mbetet lojtar i rëndësishëm në kontingjentin tonë dhe kjo nuk ka nevojë për ngritjen e diskutimeve. Ende s’mund të jap një përgjigje të prerë se cili do të luajë sot, madje nuk e kam përpiluar edhe formacionin. Pushimet janë gjithmonë të rëndësishme në rigjenerimin e energjive dhe kthjelltësinë e të menduarit”, tha Julian me nota mbështetëse në shërbim të Mylerit.

SITUATA ME GNABRIN ”Çdo sportist ka të drejtën ta shfrytëzojë kohën e lirë sipas dëshirës. Për mua është e rëndësishme që ai të japë më të mirën në fushën e blertë dhe të kontribuojë sa më shumë në shërbim të ekipit. Kaq mbi këtë diskutim. Kemi shumë gjëra më të rëndësishme në listën e objektivave sesa situata të vogla që nuk sjellin pasoja”.

PERFORMANCA E ZOMERIT ”Pyetja e parë që i shtrova Janit përpara duelit me Lajpcigun ishte se nëse ndodhej i qetë nga ana emocionale për të nisur kaq shpejt rrugëtimin me një klub të ri dhe ai ma pohoi menjëherë dëshirën. Paraqitja ishte e këndshme dhe ky është faktor pozitiv, aq më tepër në ndeshje debutuese. 7 tentativat e dërguara në kuadrat nga ‘Demat’ nuk erdhën për faj të Zomerit, çka ia jep të drejtën në heqjen e përgjegjësisë”, përfundoi Nagelsman.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"