Bajerni humb “pjesët”, Flik duhet të “arnojë” skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 12:59

Bajerni humb “pjesët”, Flik duhet të “arnojë” skuadrën

Bajerni i Mynihut vazhdon që të përgatitet për ndeshjen e kthimit kundër Çelsit, në program të shtunën në mbrëmje, por ndërkohë nuk vijnë lajme të mira për trajnerin Hansi Flik. Edhe pse në favorin e tyre kampionët e Gjermanisë kanë suksesin 3-0 të ndeshjes së vajtjes, në Londër, bavarezët nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë, duke parë se nga ana tjetër, blutë anglezë kanë nga ana e tyre një ritëm ndeshjeje më të zhdërvjellët sesa Levandovski me shokë, duke qenë se këta të fundit vijnë në këtë ndeshje pas dy javëve pushime.
bajern
Për më shumë, edhe lajmet që vijnë nga infermieria nuk kanë qenë aspak pozitive në orët e fundit.

Zyle e Perisiç – Niklas Zyle, i cili bëri rikthimin e tij pas 10 muajsh në fushë, në miqësoren kundër Marsejës, nuk duket gati për të pasur një fanellë titullari. Pa dyshim që dëmtimi mund të jetë lënë pas, por ritmin i ndeshjes nuk llogaritet pas një qëndrimi kaq të gjatë pa aktivitet, ndaj futbollisti nuk do të jetë pjesë e titullarëve. Në mbrojtje, kujtojmë që i padisponueshëm edhe Benzhamë Pavar, me mbrojtësin e djathtë francez, që gjithashtu e ka mbyllur sezonin.

Perisic
Por sikur të mos mungonte prapavija, problemet shtohen edhe në sulm. I fundit që ka treguar flamurin e bardhë është Ivan Perisiç. Futbollisti kroat nuk është stërvitur së fundmi me skuadrën dhe për këtë arsye as ai nuk pritet të jetë në dispozicion të Hansi Flik. Lojtari i huazuar nga Interi nuk raportohet se çfarë dëmtimi ka, por e sigurt është se mungesa e tij për të shtunën është e sigurt. Sigurisht që Ivan Perisiç nuk pritej që të ishte pjesë e formacionit titullar, por pa dyshim që për Bajernin e Mynihut është një humbje jo pak e rëndësishme, duke qenë se humb numra në pankinë dhe në Champions, çdo detaj është i rëndësishëm, aq më tepër sivjet kur deri në finale do të shkohet duke kaluar nga ndeshje teke.
bajern
Zgjedhje të detyruara – Prandaj, të gjitha gjasat bëjnë që Bajerni të dalë në “Allianz Arena” me formacionin që paraqiti në miqësoren e fundit me Marsejën. E thënë ndryshe, me Nojerin në portë, i cili do të ndihmohet nga Dejvis, Alaba, Hernandez dhe Kimish në mbrojtje. Ky i fundit do të kthehet në rolin e vjetër, duke zënë vendin e të dëmtuarit, Pavar, ndërkohë që nga stoli do të jetë gati Zherom Boateng. Në mesin e fushës Gorecka, Tiago dhe Myler do të jenë në mbështetje të treshes së sulmit, Koman, Levandovski dhe Gnabri. Ky i fundit kujtojmë se ishte arkitekti i suksesit në Londër, duke qenë se në fitoren 3-0 ishte Gnabri që realizoi një dopietë, teksa Çelsi mendonte më shumë që të mbulonte Levandovskin. Prandaj, edhe ndeshja e të shtunës do të jetë më ndryshe nga ajo e vajtjes, duke qenë se Lampard tashmë do të mendojë që të marrë masat edhe për “sulmuesin e fshehtë” të Flikut.

formacioni

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"