Bajerni gjen liderët e të ardhmes, zbulohet brezi që do dominojë edhe Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:42


Bajerni gjen liderët e të ardhmes, zbulohet brezi që do dominojë edhe Europën

Pikërisht atëherë kur Bajernit, Dortmundi i shfaqej në pasqyrë, kampionët i dhanë gaz dhe ndryshuan marsh duke i zhdukur rivalët përsëri nga pamja e tyre dhe tani marshojnë drejt finishit të një tjetër titulli kampion. Pamja që Bajerni i Mynihut feston në maj dhe Dortmundi dëshpërohet, po shndërrohet në një “deja vu”.

zYLE BAJERN

Sezonin e shkuar u duk sikur diferencat mes dy forcave kryesore të Gjermanisë u zbehën, me Bajernin që triumfoi me një diferencë dypikësh, duke i shërbyer Borusias për t’u motivuar dhe provuar të riorganizohej.

Sezonin e shkuar bavarezët e nisën ngadalë dhe koeficientet nisën të flasin në favor të verdhezinjve. Këtë sezon Dortmundi dhe Bajerni qëndruan rrotë më rrotë, por humbja në klasiken e së martës i la ata edhe njëherë tjetër pas.

Nëse do kishin fituar, do të kishin qenë vetëm një pikë larg kryesuesve. Sot e shohin veten -7 dhe kjo është një tjetër pilulë e vështirë për t’u kapërcyer. Pas zhgënjimit të fundit, të gjithë në ambientin e skuadrës së Vestfalisë pyesin: “Edhe për sa kohë do të duhet ta pranojmë të qenurit skuadra e dytë më e mirë?” Me Erling Halandin dhe Xhejdën Sançon që mund të largohen në verë, ata mund ta kenë shpërdoruar rastin më të mirë të tyre për të thyer dominimin bavarez.

Bajerni ka fituar 7 titujt e fundit kampion, por pati pak frikë për të ardhmen, ndërkohë që Dortmundi vazhdoi të mblidhte talentet më të mira në qarkullim dhe vazhduar rinovimin e skuadrës. Por “Sport Bild” i përmbyste letrat në një analizë të fundit të revistës. Ata nënvizonin se Serzh Gnabri dhe Xhoshua Kimish janë shndërruar në figura kyçe në skuadër dhe ata mund ta udhëheqin klubin drejt sukseseve të ardhshme.

bajern

Ishte pikërisht goli magjik i Kimishit ai që vendosi klasiken. Mesfushori 25- vjeçar, i shndërruar nga Pep Guardiola në një mbrojtës të djathtë, duke rimishëruar ish-kapitenin Filip Lahm, shënoi një gol “alla” Toti, duke treguar se veç zgjuarsisë, ka klas të jashtëzakonshëm në këmbët e tij. Trajneri Hansi Flik vuri re ngjashmëri të mëdha me Lahmin dhe e cilësoi Kimishin si një kapiten në pritje.

Havi Martinez parashikoi gjithashtu se Kimish do të jetë lideri i ardhshëm i kësaj skuadre vitin e shkuar, kur tha: “Ai është një lojtar që i shkon për shtat në mënyrë perfekte klubit. Ai i ka përvetësuar të gjitha vlerat e klubit që në moshë të re. Duket sikur ka bërë 100 ndeshje që tani dhe prandaj jam i bindur se një ditë do të jetë kapiten”.

Por “Sport Bild” nënvizon edhe rëndësinë e Gnabrisë për këtë skuadër, e cila nuk duhet nënvlerësuar. Sulmuesi i kombëtares gjermane po përmirësohet çdo sezon dhe ky ka qenë më i miri i karrierës së tij. Ai ka shënuar 18 gola dhe dhënë 12 asiste këtë sezon.

Me Arjen Robenin dhe Frenk Riberinë tashmë e shkuara e Bajernit, rritja e Gnabrisë është vendimtare. Ende në moshën 24-vjeçare, më të mirën e tij nuk e kemi parë akoma. Për të zëvendësuar 100% “Robbery”, Bajerni po kërkon të transferojë edhe Leroi Sanenë, i cili pritet të vijë nga Mançester Siti në verë. Ai ishte pranë kalimit në Mynih verën e shkuar, përpara se të pësonte një dëmtim serioz në gju, duke hedhur gjithçka në erë. Por Sane, i cili është gjithashtu 24 vjeç, është një talent që do t’i sjellë freski, gola dhe kreativitet skuadrës së Bajernit.

Me të në sulm, ky ekip jo vetëm mund të bëhet një forcë e pakonkurrueshme në Gjermani nëse nuk janë që tani të tillë, por synon edhe më lart, duke provuar që të pushtojë Europën për herë të parë pas tripletës së sezonit 2012-’13.

Bajern6

Shumë analistë e cilësonin Bajernin skuadrën më të fortë të Europës përpara ndërprerjes së sezonit prej Koronavirusit, një opinion që duhet ta ketë edhe Totenhemi pas poshtërimit në fushën e tyre 7-2 në tetor, apo ndoshta edhe Çelsi pas disfatës 3-0 në “Stamford Bridge” në shkurt. Dortmundi dhe Lajpcigu duken të vetmet kandidate të afta për ta frenuar këtë vrull në Gjermani, por që të dyja pritet të humbasin lojtarët e tyre më të mirë këtë verë dhe e ardhmja për një futboll rivalizues duket me të vërtetë e zymtë.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com