Bajerni e zyrtarizoi, Kovaç i tregon prapaskenat: Ofertën e mora me mesazh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2018 | 10:00

Bajerni e zyrtarizoi, Kovaç i tregon prapaskenat: Ofertën e mora me mesazh

Aventura e Niko Kovaç te Frankfurti do të përfundojë në fund të sezonit aktual. Trajneri, siç është bërë e ditur, ka arritur një marrëveshje trevjeçare me Bajernin e Mynihut, ku do të marrë vendin e Jup Hajnkesit. Në konferencë për shtyp, trajneri i ardhshëm i Bajernit ka shpjeguar edhe dinamikën e marrëveshjes së tij me drejtuesit bavarezë: “Nuk jam ndjerë kurrë më parë kështu në jetën time. Ishte vërtet një situatë e çuditshme. Ofertën për kontratë e mora nëpërmjet një mesazhi në telefon dhe gjithçka bëra, ishte pranimi i atij propozimi”. Për shumë media gjermane, ky veprim në këtë pikë të kampionatit ka qenë shumë i nxituar, megjithatë në fjalën e tij, 46-vjeçari ka nxituar të shpjegojë: “Sigurisht fola me Fredin (Bobiç, drejtori i Frankfurtit) dhe më pas mora vendimin. Sot (dje) munda të flas më skuadrën dhe tani paraqitem para jush për të konfirmuar lajmin. Gjithçka është e vërtetë, do të drejtoj Bajernin duke filluar që nga sezoni i ardhshëm”.
kovac
NDËRKOMBËTAR– Përvoja e tij me Salcburgun dhe ajo ndërkombëtare me përfaqësuesen e Kroacisë e bëjnë Kovaç një emër që mishëron më së miri vlerat që duhet të ketë trajneri i ri i bavarezëve. Që nga drejtuesit e deri të lojtarët, të gjithë janë shprehur të kënaqur për afrimin e ri. Në lidhje më këto elozhe, në konferencë për shtyp për të komentuar ndeshjen e Frankfurtit me Bajer Leverkusenit, Kovaç ka thënë: “Me siguri që nuk jam unë ai që duhet të them nëse jam i duhuri, por ajo që mund të garantoj është përkushtimi. Garantoj impenjim, ashtu siç ua garantoj edhe tifozëve të Frankfurtit për pjesën e mbetur të sezonit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"