Bajerni e bën zyrtare: Pep ikën, vjen Karlo Ançeloti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2015 | 10:47

Bajerni e bën zyrtare: Pep ikën, vjen Karlo Ançeloti

ancelotiPep Guardiola largohet në fund të sezonit, Karlo Ançeloti e zëvendëson. Bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, ka zyrtarizuar këtë vendim ditën e diel duke mbyllur përfundimisht telenovelën e kontratës së trajnerit spanjoll. Më 30 qershor 2016, Pep ikën zyrtarisht dhe strategu italian nënshkruan për tre vite nga 1 korriku. “Nuk duhet harruar që Pep është një trajner i ri dhe Bajerni është vetëm pankina e dytë. Ai donte një sfidë të re. Në mënyrë të ngjashme dhe për këtë arsye iku edhe nga Barcelona. Bajerni i është mirënjohës për gjithçka”, sqaron Rumenige duke mirëkuptuar vendimin e Guardiolës. Trajneri spanjoll arriti akordin në dhjetor 2012 dhe deri tani ka fituar dy tituj dhe një kupë, plus botërorin e klubeve dhe Superkupën e Europës si dhuratë nga Jup Hajnkes.

Atij i mungon vetëm Champions-i me bavarezët. “Kur një trajner fiton në tre vite tri herë titullin, do ishim shumë të lumtur. Natyrisht që duam të fitojmë edhe Champions-in. Këtë sukses i urojmë Guardiolës në vitin e fundit të kontratës. Shpresoj të ketë të njëjtin fat si Jup Hajnkes, i cili në fund të kontratës fitoi tripletën historike. Unë jam i bindur që trajneri dhe ekipi do punojnë intesivisht për të arritur suksese madhore. Edhe për faktin që tani është zyrtare që Pep do largohet nga Bajerni”, nënvizoi Rumenige. Pasi falënderoi spanjollin, Rumenige zyrtarizon edhe pasuesin e tij. “Karlo Ançeloti ka pasur sukses kudo, si te Juventusi, Milani, Çelsi, PSGja dhe Reali i Madridit.

Ai ka fituar tri herë Champions-in duke qenë i vetmi. Karlo është një njeri i qetë, mjeshtër dhe psikolog. Ançeloti di të bëjë për vete yjet dhe mbi të gjitha ofron futboll me shumë variante. Pikërisht këtë kërkonim dhe e gjetëm”, përfundoi Rumenige. Ançeloti – Gjithçka ishte e planifikuar. Pasi Bajerni e bëri zyrtare, Karlo Ançeloti ka reaguar në “Twitter” në 4 gjuhë të huaja. “Thanks! FcBayern#MiaSanMia” nis postimin e tij Ançeloti duke vijuar më tej: “Është një nder për mua të jem pjesë e Bajernit të Mynihut sezonin e ardhshëm.

Kur u informova për interesimin e tyre, nuk më interesoi asnjë klub tjetër. I uroj Bajernit dhe mikut tim Pep Guardiola gjithë të mirat në pjesën e mbetur të sezonit. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u uroj fansave të Bajernit Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të gëzueshëm!”, përfundoi trajneri italian në “Twitter”. Ançeloti është njohës i katër gjuhëve të huaja dhe ka nisur kursin për gjuhën gjermane. “Kur mësoi të flasë gjermanisht Trapatoni, mendoj se edhe unë do jem i aftë”, tha Ançeloti për “Sportbild”. Kujtojmë që 56-vjeçari do jetë trajneri i dytë italian në historinë e Bajernit dhe i katërti në historinë e Bundesligës pas Trapatonit, Nevio Skala dhe Roberto di Mateos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"