Bajern në histori, bën … tripletë në Berlin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2013 | 9:03

Bajern në histori, bën … tripletë në Berlin

BajerniPas 3 vitesh (Interi), kemi sërish tripletë në Europë dhe ja tek e bën Bajerni i Mynihut. Triumfon në Kupën e Gjermanisë, pasi ka arkivuar në “Zebener Shtrase” Bundesligën dhe Champions-in pak ditë më parë. Tashmë fjala “tripletta” do të shkruhet në gjermanisht pas “treble” (anglisht) dhe “triplete” (italisht) këto vitet e fundit: Bajerni hyn në histori, duke u bërë skuadra e shtatë në Europë që arrin këtë objektiv dhe i bashkohet Sëlltikut (’67), Ajaksit (’72), Psv Eindhovenit (’88), Mançester Junajtid (’99), Barcelonës (2009) dhe Interit (2010).

BAJERN MYNIH-SHTUTGART  3-2
GOLAT: Myler 37′ (P), Gomez 48′, 61’/ Harnik 71′, 80′
BAJERN MYNIH (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Van Bujten, Boateng, Alaba, Martinez, Shvajnshtaiger, Roben (Timoshuk 83′), Myler, Riberi (Shaqiri 90′), Gomez (Manxukiç 62′) Trajner: Jup Hejnkes
SHTUTGARTI (4-2-3-1): Ulraish, Rydiger, Taski, Maier, Molinaro (Sakai 67′), Gentner, Boka, Harnik, Maksim (Okazaki 61′), Traore (Kakau 75′), Ibiseviç Trajner: Bruno Labadia
KARTONË TË VERDHË: Shvajni 50′, Manxukiç 94’/ Traore 36′, Boka 85′, Ibiseviç 90′ 2
ARBITËR: Manuel Grefe 75.420

Lamtumirë Hejnkes – Dhe e bëjnë në Berlin, në finalen e fundit të sezonit kundër Shtutgarit. Përfundon 3-2 për skuadrën e Hejnkesit, e cila dominon për një orë dhe vendos t’ia komplikojë vetes jetën në minutat e fundit.
Zhbllokon Myler – Djemtë e Labadias, të cilët kishin kërcënuar se Bajerni do ta kishte ferr kundër tyre, e nisin ndeshjen me kujdes dhe më të motivuar, por në mbrojtje bëjnë gabime të rënda, aq sa vështirë që të mos ndëshkohen për shumë kohë. Një penallti nuk kuptohet përse nuk i akordohet Robenit, por Manuel Grefe është i detyruar në minutën e 37-të të bëjë shenjë nga pika e bardhë pas një faulli të Traoresë ndaj kapitenit Lahm. Nga penalltia Tomas Myler është i pagabueshëm dhe Bajerni shkon minimalisht në avantazh në dhomat e zhveshjes edhe prej një gabimi të Gomezit, të cilin Hejnkesi e preferon titullar në vend të Manxukiçit.
Finale drithëruese – Por, ish-sulmuesi i Shtutgartit nuk është preferuar rastësisht në vend të titullarit kroat. Përpara kësaj finaleje Gomez e kishte tundur rrjetën e Shtutgartit 9 herë në 8 ndeshjet zyrtare kundër tyre. Dhe 3 minuta pas startit të pjesës së dytë, “Torero” shënon golin e 10-të: Molinaro vuan nga krahu i Robenit dhe Lamit, të cilët ndërtojnë asistin për pykën e tyre, i cili është gjithnjë atje kur bëhet fjalë për ta shtyrë topin në rrjetë. Kalojnë vetëm 16 minuta dhe Bajerni bën 3: Myler edhe një herë tjetër nga e djathta shërben për Marion topin e dopietës së tij. Gomez shënoi golin e 700-të të Bajernit në 312 ndeshjet e Hejnkesit në stol dhe siguroi fitoren jubilare të 200-të të Don Jup. Duket se mbaroi, por jo. Mario del nga fusha mes ovacioneve dhe i lë vendin Marios tjetër, Manxukiçit. Por Shtutgarti mund të ketë humbur këmbët, por jo krenarinë: Harnik shfrytëzon me kokë përgjumjen e parë të rekordmenëve në minutën e 71-të. S’kalojnë as 10 minuta dhe është pikërisht austriaku, ai që e rihap ndeshjen pas shtyllës së Okazakit dhe pritjes së Nojerit, i cili ishte deciziv, ashtu si në “Uembli”. Sulmi i fundit nuk sjell më shumë se një lehtësim për tifozët e Bajernit, të cilët ngrihen në këmbë dhe kanë të gjithë të drejtën të thërrasin: Super- Bajern! Kjo skuadër i bëri pjesë të historisë. E kush e di tani kur do ndalen?!

Roben: Nuk i kam harruar vërshëllimat
Arjen Roben di të jetë vetëm protagonist si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Holandezi shkëlqeu në finalen e dytë radhazi të Bajernit të Mynihut në “Olimpiashtadion”, prandaj ai nuk ua ka kursyer një shigjetë tifozëve që e kontestuan në fillim të sezonit. “Arritëm një rezultat të shkëlqyer me këtë ekip. Kemi një skuadër të madhe. Jam shumë krenar që jam pjesë e saj. Arritëm një tjetër sukses në finale, çka na bëri pjesë të historisë dhe jam i lumtur për Hejnkesin, të cilit i mungonte ky trofe si trajner. Nuk ishte e lehtë pas finales së Champions-it të motivoheshe dhe rigjeje forcat. Megjithatë, unë besoj se nuk i vodhëm asgjë kundërshtarit, përkundrazi, meritonim më shumë se Shtutgarti që ta fitonim ne këtë kupë. Tifozët? Kam dhënë gjithçka për ta, por vërshëllimat në fillim të sezonit nuk i kam harruar ende”, – deklaroi pas triumfit holandezi fluturues.

Riberi: Sot do mat forcat me Samerin
Më shumë se kushdo tjetër pjesë e rëndësishme e suksesit të skuadrës këtë sezon është pa diskutim Frenk Riberi. “Kjo është një çmenduri. Donim të fitonim për të hyrë në histori dhe ia dolëm. Është bukur të rigjesh përqendrimin edhe një herë tjetër, veçanërisht pasi ke fituar një trofe si Liga e Kampioneve. Është e pabesueshme! 10 minutat e fundit ndjemë disi pasiguri, por kjo pak rëndësi ka. Në fund fituam dhe unë jam më i lumtur se kurrë për këtë sezon të suksesshëm. Tashmë duhet vetëm të festojmë”, – tha francezi. Kur e pyesin për bastin që ka vendosur me Samerin me 100 pompa, shtoi: “Unë kam premtuar se do i bëj në ‘Marienplatz’ më 2 qershor. Me ç’kam dëgjuar edhe ai është stërvitur dhe ka thënë se e ka pranuar sfidën. Të shohim kush do triumfojë”, – përfundoi “Le Roi”.

Shvajnshtaiger: Këtë vit u perfeksionuam
Bastian Shvajnshtaiger jo vetëm që fitoi tripletën, por ka barazuar edhe rekordin e gjigantit Oliver Kahn në Kupën e Gjermanisë. Zv/kapiteni i Bajernit është lojtari i dytë që fiton 6 herë Kupën e Gjermanisë, duke barazuar Kahnin. “Gjithçka që kemi bërë këtë sezon ka qenë e përkryer. Është e pabesueshme që, pas një viti të mundimshëm me shumë drama dhe dëmtime, të arrinim një pikë historike, ku askush nuk e ka pasur shansin të bëjë këtë lloj diference. Falë punës dhe bashkëpunimit tonë, arritëm të nxirrnim nga vetja ato 3- 4% që mungonin sezonin e kaluar dhe për më tepër na ka kushtuar shumë nga ana psikologjike. Prandaj jemi çliruar nga çdo gjë dhe jemi krenarë që arritëm të fitonim tripletën. Bajerni bën histori dhe ne jemi pjesë e historisë më të suksesshme. Gjithashtu, ndihem krenar që renditem pranë Kahnit me 6 kupa”, – deklaroi Shvajnshtaiger.

Dy klube gjermane bëjnë tripletë
Bajerni i Mynihut është ekipi i shtatë në Europë që fiton tripletën në historinë e futbollit dhe i pari në Gjermani pas skocezëve të Sëlltikut 1967, holandezëve të Ajaksit 1972 dhe Psv Eindhovenit 1988, anglezëve të Mançester Junajtid 1999, spanjollëve të Barcelonës 2009 dhe italianëve të Interit 2010. Por, supremacia e futbollit gjerman këtë sezon nuk dëshmohet vetëm nga dominimi i djemve të Hejnkesit. Në futbollin e femrave një tjetër skuadër gjermane ka bërë historinë në sezonin 2012-’13. Volfsburgu fitoi gjithashtu të tri titujt e mundshëm këtë sezon Bundesligën, Champions-in dhe Kupën e Gjermanisë.

Shiu “prish” festën e tripletës
Bavarezët e kanë kaluar javën e fundit me sytë nga qielli. Sot rekordmenët do të shëtisin tri trofetë e fituar në qytetin e Mynihut, por paradën pritet ta zbehë disi shiu. “Parashikimi i motit e ka konfirmuar çdo ditë. Ditën e diel shiu nuk do të bëjë pushim”, – konfirmoi Folker Vynshe nga shërbimi meteorologjik gjerman. Ai tha se, veç reshjeve, temperaturat do të jenë relativisht të ulëta, 9-11 gradë celsius. Të paktën era nuk do t’i pengojë lojtarët dhe tifozët gjatë parakalimit të autobusit të hapur. Mynihu do t’i ngjajë një shtetrrethimi, duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit të sotëm, për të garantuar mbarëvajtjen e paradës, që do të ndiqet nga qindra mijëra njerëz.

Trofeu kushton 100 mijë euro
Trofeu i kupës mund të jetë më pak i vlefshëm për nga rëndësia sportive, por jo në vlerën si kupë. “DFB Pokal”, që Bajerni e ngriti për herë të 16-të në Berlin, është 52 cm i lartë dhe peshon 6.25 kilogramë. Ai është prodhuar prej argjendi të pastër dhe është larë me flori. Emblema e federatës gjermane është prej kristalit të pastër nefrit. Federata i lejon fitueses ta mbushë me birrë ose shampanjë: në fund të fundit kushton vetëm… 100 mijë euro. S’janë asgjë për gjermanët.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

LIBRI I ARTË
2013 BAJERN MYNIH
2012 Dortmund
2011 Shalke
2010 B.Mynih
2009 V.Bremen
2008 B.Mynih
2007 Nerenberg
2006 B.Mynih
2005 B.Mynih
2004 V.Bremen
2003 B.Mynih
2002 Shalke
2001 Shalke
2000 B.Mynih
1999 V.Bremen
1998 B.Mynih
1997 Shtutgart
1996 Kaizerslautern
1995 M’Gladbah
1994 V.Bremen
1993 Leverkusen
1992 Hanover
1991 V.Bremen
1990 K’slautern
1989 Dortmund
1988 Frankfurt
1987 Hamburg
1986 B.Mynih
1985 Bajer Yrdingen
1984 B.Mynih
1983 Këln
1982 B.Mynih
1981 Frankfurt
1980 F.Dyseldorf
1979 F.Dyseldorf
1978 Këln
1977 Këln
1976 Hamburg
1975 Frankfurt
1974 Frankfurt
1973 M’Gladbah
1972 Shalke
1971 B.Mynih
1970 Ofenbah
1969 B.Mynih
1968 Këln
1967 B.Mynih
1966 B.Mynih
1965 Dortmund
1964 Mynih 1860
1963 Hamburg
1962 Nürnberg
1961 V.Bremen
1960 M’Gladbah
1959 Esen
1958 Shtutgart
1957 B.Mynih
1956 Karlsruher
1955 Karlsruher
1954 Shtutgart
1953 Esen
1943 Vienna Vien
1942 Mynih 1860
1941 Dresdner
1940 Dresdner
1939 Nurnberg
1938 Rapid Vienës
1937 Shalke
1936 VfB Laipcik
1935 Nurnberg

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"