“Baby” Apolonia, Dalipi rrëfen strategjinë për ekipin e sezonit të ri: Ringrihemi me të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2022 | 21:40

“Baby” Apolonia, Dalipi rrëfen strategjinë për ekipin e sezonit të ri: Ringrihemi me të rinjtë

Apolonia nuk heq dorë nga të rinjtë. Edhe këtë sezon, skuadra do të përqendrohet te produkti vendës. Është ky shkaku që në Fier po mungojnë afrimet e bujshme dhe me eksperiencë, pasi grupi do të ndërtohet me lojtarët e dalë nga akademia.

Klevis Dalipi

Është vetë Klevis Dalipi që rrëfen strategjinë e klubit, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Trajneri zbulon se e ka shumë të thjeshtë të punojë në të tilla kushte, ndonëse e ka të qartë se do t’i duhet pak kohë.

Deri tani keni zhvilluar 3 javë fazë përgatitore. I kënaqur me reagimin e grupit?

Ky është vetëm fillimi i punës, pasi vijmë nga një periudhë relativisht e gjatë pushimesh. Nga java në javë kemi rritur dozën e stërvitjes dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Kjo periudhë ka shërbyer edhe për familjarizimin e skuadrës.

Bardhejeshilët janë ndërtuar kryesisht me produkt vendës. Pse kjo zgjedhje?

Edhe të huajt janë të mirëpritur, që të qartësohemi. Por ata duhet të bëjnë diferencën nga vendësit. Vetëm kështu mund të bëhen pjesë e Apolonisë. Kemi qëllim të fokusohemi më shumë te lojtarët vendës, pasi ata e njohin më mirë terrenin, kampionatin dhe rrjedhimisht përshtatjen e kanë më të lehtë.

Është e vështirë të punoni vetëm me lojtarë të rinj në moshë?

Edhe po të kesh lojtarë me eksperiencë, do të kërkojnë kohën e vet të përshtaten. Shumë e vërtetë që kemi një ekip të ri në moshë, por janë lojtarë premtues. Me punë e durim, mund të përmirësohen ndjeshëm. Paralelisht me vetë përmirësimin vijnë edhe rezultatet pozitive. Duhet t’u japim më shumë besim lojtarëve vendës, sepse ata kuptojnë më lehtë dhe më mirë shpjegimet tona.

Jeni i kënaqur me grupin që keni në dispozicion?

Deri tani jam i kënaqur nga impenjimi dhe disiplina e tyre. Ne shpresojmë që këtë sezon të bëjmë një kampionat sa më dinjitoz e më pas të shohim e të mendojmë për të ardhmen. Në momentin që këta të rinj të talentuar kanë mbështetje, atëherë morali i tyre ngrihet dhe rezultatet merren disi më lehtë. Mjafton që të qëndrojmë larg euforisë dhe vazhdojmë rrugëtimin tonë me kokën ulur. Nëse veprojmë kështu, do bëjmë gjëra të mëdha.

klevis dalipi apolonia

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"