Aventura në Korçë, Soue: Vjet ishim akademikë, prej Skënderbeut më largoi… Europa (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 22:58

Aventura në Korçë, Soue: Vjet ishim akademikë, prej Skënderbeut më largoi… Europa (E PLOTË)

Soue dhe Skënderbeu, Skënderbeu dhe Soue, një histori e suksesshme që zgjati vetëm një sezon, por ka lënë shenjë në të dyja palët. Skënderbeu nga ana e tij vuan për një sulmues “vrasës”, si Ali Soue, ndërsa nga ana tjetër italogambiani e kujton aventurën e tij në Korçë si një nga më të suksesshmet për shkak të arritjeve jo vetëm personale.

soue-470x364

Sulmuesi beson se ish-ekipi i tij do të vijojë të diktojë kampionatin shqiptar edhe për shumë vite të tjera. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Soue flet me nostalgji për periudhën e kaluar në Korçë. Pas Largimit nga Skënderbeu, Soue u transferua në Bullgari te CSKA e Sofjes, por larg shkëlqimit që pati te bardhekuqtë.

Katër muaj pas largimit nga Skënderbeu, si ndiheni me aventurën e re që keni nisur?

Ju përshëndes dhe më vjen mirë që kontaktojmë sërish. Të them të drejtën, çdo fillim i ri është i vështirë për një lojtar, pasi duhet të ambientohet me klubin dhe gjithçka që e rrethon. Po përpiqem të bëj më të mirën time dhe jam i  bindur se do të jap sërish atë që më kërkohet.

Ju mungon Korça dhe kampionati shqiptar?

Nostalgjia është e madhe, pasi kam kaluar një sezon me të vërtetë special në Skënderbeu. Isha i rilindur në atë ekip dhe kam dhënë maksimumin e mundshëm. Të tilla kujtime do të mbeten gjatë në memorien time.

Cilin vlerësoni si momentin më të bukur të përjetuar si futbollist i Skënderbeut?

Thuajse gjithçka ka qenë i bukur atë sezon, pasi kemi fituar gjithçka. Plus edhe titulli i golashënuesit më të mirë të Superiores që ishte një rast mjaft i pëlqyer për mua. Por, nëse duhet të veçoj një moment, është pikërisht goli i shënuar në Ligën e Europës në fazën e grupeve. Ka qenë me të vërtetë një emocion i papërshkrueshëm.

Po momenti më i keq?

Nuk është se kam pasur momente të këqija në atë sezon që kalova te Skënderbeu. Mund të them se i vështirë ka qenë fillimi, pasi nuk po gjeja dot vazhdimësinë në gola dhe në disa raste isha i kritikuar që nuk shënoja shumë. Por, klubi më ka qëndruar pranë.

Ishit i rëndësishëm për Skënderbeun apo Skënderbeu e bëri të madh Ali Souenë?

Mendoj se ka qenë diçka reciproke. Unë rezultova i rëndësishëm me golat e mi, por nga ana tjetër edhe ekipi më ka ndihmuar shumë duke më dhënë mbështetje të madhe, si në fushë edhe jashtë saj.

A e ndiqni tani Skënderbeun?

Të jem i sinqertë, jo. Mësoj vetëm rezultatet nga interneti dhe bisedoj me miqtë e vjetër që kisha atë kohë. E di që kanë ndryshuar shumë, por gjithsesi, janë duke bërë mirë në kampionat.

Ku ndryshonte Skënderbeu juaj nga ky i këtij sezoni?

Nga sa kam folur me ishshokët e mi, është një ekip i ri që vrapon shumë dhe ka shumë energji. Ne, një vit më parë, ishim më akademikë në lojë. Menaxhonim me kujdes energjinë dhe ishim shumë hapa larg të tjerëve. Ne nuk kishim rivalë, askush nuk na afrohej, ndërsa këtë vit të gjithë janë të barabartë në fushë.

Në fund, si u ndatë me Skënderbeun…?

Tentuam deri në fund të mbanim raporte të mira, por ai vendim për të qenë jashtë Europe prishi gjithçka. Për mua gjithçka ka qenë korrekte dhe i jam mirënjohës për faktin që më dhanë mundësinë të debutoj në Europë, por edhe të fitoj kaq shumë trofe në një sezon

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"