Autostradë para “finales” me Orikumin, Elbasanin e favorizon kalendari në sfidat e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 18:27

Autostradë para “finales” me Orikumin, Elbasanin e favorizon kalendari në sfidat e radhës

Kalimi me sukses i transfertës së Butrintit ishte një nga sprovat që verdheblutë duhet ta kalonin patjetër këtë kampionat për të mbajtur vendin e parë në kampionat. Tani që kjo sfidë u kalua pa probleme, elbasanasit janë duke menduar për ndeshjet e radhës, të cilat nuk janë shumë të lehta. Megjithatë, përballja më e vështirë e mbetur është ajo me Orikumin e vendit të dytë, e cila është programuar pas katër javësh. Por, deri atëherë ka ende kohë dhe Elbasani duhet të kalojë me sukses “autostradën” që do të ketë përpara në tri ndeshjet e ardhshme.

elbasani

KALENDARI – Elbasani ka një kalendar shumë të favorshëm përpara “finales” me Orikumin. Elbasani do të ketë përballë ekipe pa pretendime dhe për më tepër do të luajë tri ndeshje në shtëpi. Fillimisht, këtë javë elbasanasit do të presin në shtëpi Skraparin, një skuadër që ndodhet në vendet e fundit dhe qëndron shumë pas në kualitete për sa i përket verdhebluve. Një hap fals, duket i pamundur të ndodhë në Elbasan. Pas Skraparit, Elbasani luan në transfertë me Domosdovën, por përrenjsakët i luajnë ndeshjet në Elbasan për shkak të mungesës së një fushe, ndaj edhe kjo konsiderohet si një sfidë shtëpie.

Përballja e tretë do të jetë me Këlcyrën e rikthyer në kampionat pas dënimit, një kundërshtar që i ka ndalur në barazim në ndeshjen e parë. Pra, tri sfida shtëpie me kundërshtarë pa pretendime, shihen si një mundësi për të marrë 9 pikë të plota.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"