Autoironia/ Merkatoja “plak” Longon, trajneri i Kukësit poston një foto të shpërfytyruar duke shprehur pakënaqësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2021 | 13:25

Autoironia/ Merkatoja “plak” Longon, trajneri i Kukësit poston një foto të shpërfytyruar duke shprehur pakënaqësinë

Te Kukësi po qëndrojnë të gjithë “sy e veshë” se çfarë do të ndodhë me merkaton në ditët e fundit të saj, ku siç është bërë e ditur edhe më parë, skuadra është në pritje të një sulmuesi dhe nëse do të gjendet mundësia edhe të një mbrojtësi. Emrat e lakuar nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve, por gjithsesi ende nuk po shkohet deri te konkretizimet, të cilat do të rrisnin edhe më tej cilësinë dhe konkurrencën në skuadër.

Kukesi Longo

Sigurisht, në një situatë të tillë, ai që është më i interesuar për këta lojtarë është vetë trajneri Longo, i cili po i pret me padurim për t’i pasur në organikë. Nëse do të realizohen dëshirat e tij ose jo, kanë mbetur edhe  dy ditë në dispozicion deri në mbylljen përfundimtare të merkatos, e cila është shtyrë deri në datën 5 shtator. Deri atëherë, trajneri ka “kryqëzuar gishtat” për të parë afrimet e reja.

POSTIMI – Për të treguar situatën që po kalon italiani në krye të pankinës verilindore, mjafton të shohim një postim të tij në rrjetet sociale, i cila mund të lexohet edhe si një mesazh i koduar për drejtuesit. Longo, edhe pse në pamje të parë duket se e ka me doza humori, ka dashur të nënkuptojë se po “plaket” me pritjen pa fund, pasi nuk po i vijnë lojtarët në merkato. Italiani ka hedhur një foto të tij, ku tregohet shumë më i moshuar sesa është në realitet, vetëm 45 vjeç, duke shkruar edhe një diçiturë domethënëse, me merkaton e cila po bëhet shumë stresuese për të: “Tregu i futbollit nuk është aspak stresues. Z. Diego Longo, 45 vjeç”.

MESAZHI – Ky postim është edhe një sinjal më së shumti për drejtuesit, të cilët duhet të lëvizin sa më shpejt, pasi pa i mbërritur në skuadër sulmuesi që kërkohet, atëherë edhe italiani mund ta ketë të vështirë të realizojë zotimet që ka marrë kur ka ardhur në krye të kësaj pankine.

Edhe pse verilindorët kanë bërë shumë ndërhyrje gjatë kësaj merkatoje, sërish nuk mund të thuhet se kanë shkuar aty ku duhet, për aq kohë sa dy reparte, ai i mbrojtjes dhe sulmit janë “zbuluar” dhe mungojnë alternativat. Në fakt, Longo kur ka mbërritur te Kukësi ka gjetur një skuadër thuajse të kompletuar dhe afrimi i vetëm i tij mund të konsiderohet vetëm spanjolli Pablo De Lukas, me të cilin pati bashkëpunuar më parë në dy ekipe të tjera.

STËRVITJA – Gjatë kësaj periudhe, Longo i ka “shtrydhur” lojtarët në stërvitje dhe mënyra më e mirë për të rikuperuar disi muskujt ka qenë futja në një fuçi me akull dhe në temperatura ekstreme. Mësohet se lojtarët kanë duruar në temperatura që shkonin deri në minus 165 gradë Celsius, e cila të ngjan paksa edhe me stërvitjen që bën edhe Kristiano Ronaldo, i njohur për riaftësimin e tij me temperaturat ekstreme të ulëta.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"