Autogoli i vitit, Shehi: Dita më e keqe e jetës, ju tregoj çfarë më thanë shokët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 20:01

Autogoli i vitit, Shehi: Dita më e keqe e jetës, ju tregoj çfarë më thanë shokët

Humbja me Luftë tarin la pasoja të mëdha për Teutën që tani ndodhet në një pozicion të vështirë në klasifikim, teksa mbijetesa nuk është një mision i lehtë për “djemtë e detit”. Qendërmbrojtësi Dajan Shehi, që e nisi këtë takim nga stoli, shkaktoi edhe autogolin që i dha Luftëtarit tri pikë të artë përballë një kundërshtari direkt.

Shehi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, elbasanasi zbuloi se e kujton atë moment si më të keqin në karrierën e tij sportive, ndërsa i kërkon falje ekipit, drejtuesve dhe sigurisht tifozëve durrsakë. Shehi pranon se nuk e ka marrë ende veten nga ajo gafë që bëri edhe xhiron e rrjeteve sociale.

Ke pritur me padurim të zbresësh në fushë dhe, kur u aktivizove ndaj Luftëtarit, shkaktove autgol. Si ndihesh kur kanë kaluar dy ditë nga ai moment fatkeq?

E kam përjetuar shumë keq këtë humbje. Ishte dita më e errët e karrierës time. Me ndihmën e shokëve, trajnerit dhe të gjithë njerëzve që më rrethojnë, do t’ia dal mbanë dhe, duke punuar fort, do t’ua shpërblej të gjithëve. Por, tani ndihem keq dhe fajtor për të gjithë këtë situatë.

Çfarë mendove në momentin kur e dërgove topin në rrjetën e portës tënde?

Kastrati e kapi topin, por më pas i rrëshqiti nga duart dhe mendova se zgjedhja më e mirë ishte ta largoja në korne, pasi pas shpinës sime kisha  kundërshtarin. Fatkeqësisht, topi përfundoi në rrjetë.

Shehi-Dajan

Kush të ka qëndruar më pranë këto ditë?

Fillimisht shokët e ekipit, veçanërisht Hila që më këshilloi. Sigurisht edhe familja më qëndroi pranë.

Çfarë të thanë shokët e ekipit pas atij momenti?

Gjatë ndeshjes nuk patëm asnjë komunikim, ndërsa më pas më mbështetën të gjithë duke më përqafuar dhe më kujtuar se në futboll janë gjëra që ndodhin. Pra, nuk duhet të mërzitesha, por të shikoja përpara. Më qëndruan pranë të gjithë dhe i falënderoj.

Po me trajnerin fole pas ndeshjes?

Jo, nuk komunikuam fare.

E mendon akoma momentin e autogolit?

Po e përjetoj shumë keq. Ndihem shumë fajtor për gjithçka. Jam nën presion dhe nuk e kam kaluar akoma atë moment. Do të duhen disa ditë që ta hedh pas krahëve, pasi për mua ishte një moment shumë i vështirë, pasi ekipi humbi dhe ishte një humbje që dhemb.

Sa ndikon kjo humbje tek objektivi mbijetesë?

Ndeshja me Luftëtarin ishte si finale për ne dhe mendoj se kemi humbur një ndeshje shumë të rëndësishme. Megjithatë, kemi edhe 17 finale të tjera për të luajtur dhe do të japim shpirtin në fushë. Ndikon shumë kjo humbje sepse Luftëtari është 9 pikë përpara nesh dhe situata nuk është pozitive.

Megjithatë, do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë mbanë. Megjithatë, luftën e keni me Vllazninë. A është nën presion skuadra para kësaj ndeshjeje?

Jemi disa ekipe që rrezikojmë, jo vetëm ne apo Vllaznia, pasi ka edhe shumë ndeshje dhe të gjithë jemi në valle. Janë shumë pikë në lojë, por unë besoj te skuadra dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qëndruar në Superiore. Deri tani nuk kemi pasur presion nga drejtuesit, por shpresoj të rikthehemi aty ku na takon.

Vështirësia sa vjen edhe rritet, çfarë duhet të bëni për t’u ngritur?

Është pak e vështirë, pasi ekipet janë shumë të forta. Megjithatë, ne nuk duhet të dorëzohemi, por të tregojmë se nuk e meritojmë këtë vend.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"