Auron Miloti tregon Vllazninë e re: Kemi lojtarë për të përballuar kampionatin, ja si është situata me sulmuesin e përfolur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 22:33

Auron Miloti tregon Vllazninë e re: Kemi lojtarë për të përballuar kampionatin, ja si është situata me sulmuesin e përfolur

Drejtori sportiv i Vllaznisë dhe njëkohësisht ndihmësi i Mirel Josës, Auron Miloti, është shumë optimist për atë që pritet të ndodhë në sezonin e ri. Përtej eliminimit nga Liga e Konferencës, ai është shprehur i kënaqur me atë që ka dhënë skuadra në dy takimet ndaj rumunëve të Universitatea Kraiovës.

miloti

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i njohur i shkodranëve dhe Tiranës në vitet ’90, thekson se Vllaznia do të luftojë për titull deri në fund. Ai paralajmëron se nga merkatoja mund të ketë një goditje të fundit në repartin sulmues, por është i rezervuar për të dhënë detaje. Gjithashtu, Miloti bën të ditur se skuadra është në një gjendje të mirë dhe ajo që stafi teknik shpreson është të mos ketë dëmtimet në këtë periudhë.

Auron, tashmë që kanë kaluar disa ditë pas eliminimit nga Liga e Konferencës, çfarë mendoni se mund të bënit më mirë nga dy ndeshjet me rumunët e Universitatea Kraiovës?
Së pari, ajo që mund të them është se përballë ishte një ekip shumë i fortë. Sigurisht, e dinim forcën e tyre dhe u munduam që t’i përballojmë sa më mirë, duke qenë sa më të organizuar në aspektin tekniko-taktik. Unë mendoj se dhamë gjithçka nga forcat tona në të dyja përballjet.

Kjo do të thotë se keni mbetur i kënaqur nga paraqitja e ekipit?
Jemi të kënaqur me të gjithë skuadrën për dëshirën, impenjimin që treguan në fushë, edhe pse në fund u eliminuam. Në të dyja ndeshjet ekipi dha maksimumin dhe për këtë ne i përgëzojmë.

Kampionati po afron, a ka Vllaznia nevojë për përforcime të tjera apo shikoni një skuadër të kompletuar?
Kampionati është i gjatë dhe deri kur të mbyllet merkatoja, ne do të jemi vigjilentë edhe për të ndërhyrë. Aktualisht skuadra po merr formën e duhur. E rëndësishme është që ekipi është i formuar dhe shpresoj që të mos kemi dëmtime.

miloti vllaznia

Është folur shumë për një tjetër përforcim në repartin e sulmit, a ka diçka konkrete aktualisht?
Për momentin nuk kemi emra konkretë. Nëse në kohën dhe momentin e duhur kemi ndonjë sinjal për një lojtar, i cili na përshtatet në aspektin sportiv, ne edhe mund të futemi ne bisedime me të.

Si e shihni Vllazninë e sezonit të ri, deri ku mund të shkojë?
Ne si shkodranë e kemi parë dhe do ta shikojmë gjithmonë një Vllazni që do jetë përherë në vendet e para të futbollit tonë. Vllaznia e ka potencialin e duhur që të përballojë në çdo aspekt kampionatin. Nuk është e lehtë, por ne kemi në skuadër lojtarë që i kanë përballuar dhe do përballojnë çdo vështirësi që do të na krijohet.

Titulli do të jetë objektiv kryesor?
Synimi edhe këtë vit është që të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje, që ne të kënaqim tifozerinë, që për ne është oksigjeni i skuadrës. Jemi duke u përgatitur në çdo aspekt që në fund të kampionatit të dalim me sukses dhe t’i gëzojmë të gjithë shkodranët.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"