Audit te Flamurtari/ Kryebashkiaku Leli gati të zerojë borxhet, Idrizi do zgjidhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 14:35

Audit te Flamurtari/ Kryebashkiaku Leli gati të zerojë borxhet, Idrizi do zgjidhje

Bashkia e Vlorës nis auditimin 6-vjeçar të Flamurtarit. Pas kërkesës së administratorit Sinan Idrizi, kryebashkiaku Dritan Leli dje në orën 10:00 e ka takuar për të gjetur një zgjidhje për situatën në të cilën gjendet klubi. Vlonjatët kanë rënë nga kategoria dhe shumë borxhe janë të pambyllura, ndërsa llogaritë bankare të klubit janë të bllokuara.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Një grup ekspertësh mes bashkisë dhe klubit janë në hapat e parë të një auditimi të gjerë ekonomiko-financiar të aktivitetit të klubit në 6 vitet e fundit. “Panorama Sport” zbardh diskutimet mes numrit një të qytetit dhe kreut të kuqezinjve. Leli i ka thënë Idrizit se është i gatshëm që të zerojë detyrimet që ka në klub, por duhen rregulla të qarta loje dhe për këtë do të kërkojë një takim edhe me të gjithë deputetët e Vlorës.

Administratori pret zhbllokimin e llogarive, pasi po i paguan nën dorë lojtarët, restorantin apo qiratë e shtëpive. “Grupi i ekspertëve duhet që të auditojë aktivitetin 6-vjeçar të klubit që kur unë jam në krye. Të shikohet me detaje çfarë kam bërë mirë, çfarë jo, sa taksa i kam marrë shtetit dhe sa jo.

Kur ata që kanë drejtuar klubin më parë nuk reagojnë për t’i dalë zot firmës së tyre, na mbetet që ne të gjejmë një rrugë të mesme për të shkuar te zgjidhja. Dua që të mbyll detyrimet e mia, ndërsa ju hapni garën pasi mos dëshironi të afrohet dikush tjetër. Në këta 6 vjet unë ju jam bërë barrë.

Më janë bllokuar llogaritë dhe nuk bëj dot pagesa në sistem. Kam paguar kesh në dorë lojtarët, restorantin, kam disa detyrime të shtëpive me qira. Kërkoj një takim me të gjithë deputetët e Vlorës të PS, LSI, opozitës. Kjo histori do zgjidhur”, mësohet se i ka thënë Idrizi, Lelit. Ky i fundit i ka shprehur mbështetje për të mundësuar një auditim sa më të shpejtë të klubit, por edhe për të mundësuar zgjidhje të situatës financiare.

“Të mbështes në të gjitha kërkesat e tua. Do të bëjmë auditimin 6-vjeçar dhe do të përpiqemi që brenda mundësive dhe hapësirave që na lejohet të gjejmë zgjidhje. Mua më ke në krah. Të mendojmë tani për të hartuar një projekt për ringritjen e klubit dhe për kthimin sa më shpejt në Kategorinë Superiore”, ka thënë kryebashkiaku gjatë takimit me administratorin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"