AUDIO / Mbrojtja me gënjeshtra e Rrahmanit, dëgjoni fjalët e tij për sa gola do i shënohen Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 18:37

AUDIO / Mbrojtja me gënjeshtra e Rrahmanit, dëgjoni fjalët e tij për sa gola do i shënohen Skënderbeut

Amir Rrahmani është shqetësuar me të drejtë pas rezultatit që mori Skënderbeu në Zagreb dje në mbrëmje. Por më shumë se të gjitha është shqetësuar ndoshta nga paraqitja që bënë korçarët në “Maksimir”. I gjendur në vështirësi ndoshta pas thumbimeve të tifozëve të Skënderbeut në rrjetet sociale për intervistën që kish dhënë më datë 6 gusht për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës ka dalë çuditërisht dje me një njoftim në Facebook, duke përgënjeshtruar deklaratat që kish dhënë për gazetën.

Rrahmani

Me një naivitet prej amatori, mbrojtësi ka mohuar të ketë thënë se në ndeshjen e kthimit do t’i shënonin Skënderbeut shumë gola. Gazeta, duke respektuar futbollistin është përpjekur të kontaktojë me të për ankesat që ka, por lojtari ka refuzuar të përgjigjet. Në këto kushte, jemi të detyruar që të publikojmë audion e intervistës së lojtarit, sepse për fat të mirë, sot teknologjia ka ecur dhe ta mundëson një gjë të tillë.

Rrahmani

Nuk do të donim kurrsesi që një intervistë e pasqyruar korrektësisht në gazetë të mund të nxirrte në pah frikën e një lojtari që si mision ka mbrojtjen. Megjithatë, në respekt të lexuesve tanë dhe në respekt të punës së gazetarëve të “Panorama Sport”, po ju vëmë në dispozicion pjesën e audios ku Rrahmani flet për ndeshjen e kthimit në Elbasan.

Ai zotohet se Dinamo në Shqipëri do të shënojë shumë gola. “Duhet të mundohemi të mos pësojmë gol në Zagreb dhe të shënojmë një. Pastaj në Shqipëri do t’ju shënojmë gola, vetëm gola do t’ju bëjmë atje…”. Kush ka dyshime le të dëgjojë audion!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"