Audienca, ja kryefjala e sportit shqiptar për muajin prill

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2021 | 19:48

Audienca, ja kryefjala e sportit shqiptar për muajin prill

Muaji prill ka qenë ndër më intensivët për basketbollin shqiptar, teksa janë zhvilluar një mori ndeshjesh, si për meshkuj ashtu edhe për femra, ku dhe janë dhënë verdiktet për edicionin e parë të Ligës Unike si dhe për Kupën e Shqipërisë. Një kalendar jashtëzakonisht i ngjeshur me sfida të zhvilluara në kohë rekord, në ambientet e pallatit të sportit “Dhimitraq Goga”. Me anë të një artikulli, Federata Shqiptare e Basketbollit i bën jehonë rikthimit në normalitet të sportit të koshit, pas periudhës së vështirë që ky sport përjetoi gjatë pandemisë.

basket

Ndërkohë, pas një hulumtimi nga stafi i federatës, FSHB evidenton bumin e audiencës që ka pasur basketbolli gjatë muajit prill. Më poshtë ju pasqyrojmë artikullin e FSHB-së, kushtuar një muaji intensiv me aktivitete sportive, siç ishte prilli: Kryefjala e sportit shqiptar në prill 2021 ishte basketbolli. Për familjen e madhe të basketbollit! Të dashur miq, me emocion dhe krenari, duam të ndajmë me ju disa statistika dhe fakte mbi kryefjalën e sportit shqiptar përgjatë muajit prill 2021, që pa dyshim është basketbolli. Në datat 6-7, ngriti siparin ëndrra shumëvjeçare,

LIGA UNIKE, me ndeshje dramatike, të luajtura deri në sulmin e fundit. Finale fantastike deri në shpalljen e ekipit fitues të Ligës, “Golden Ylli”. Statistika: mbi 35,000 shikime në “Youtube” 2500 shikues/ditë (“Instagram”, “Facebook”) 2000 klikime në “web” për ndjekje të statistikave “live”. 4 emisione sportive ne “RTSH Sport”, afërsisht 30 intervista drejtuesish dhe trajnerësh në fushë, po ashtu disa kronika sportive basketbollistike në edicionin e lajmeve. 24 artikuj në “Panorama Sport” dhe disa në “Bulevard”. Qindra shkrime në portale, shqiptare dhe mbarë shqiptare. Menjëherë pas mbylljes së Ligës Unike filluam me raundin eliminator të Kupës së Shqipërisë për meshkuj e femra.

Pallati i sportit “Dhimitraq Goga” u pushtua nga ndeshjet e këtij raundi. Rreth 50 sfida, njëra më interesante se tjetra, me surpriza rezultatesh, me thyerje mitesh. Nga njëra sallë në tjetrën, ekipe meshkuj e femrash që ndiqnin njëri-tjetrin për të studiuar kundërshtarin e radhës. Njerëz në korridore, dikush me protokoll në dorë, një tjetër me një kafe, kundërshtarë në fushë, miq jashtë saj, u takuan dhe ritakuan, për ditë me radhë. Rreth 224 lojtarë, 48 trajnerë dhe as.trajnerë, 20 gjyqtarë, dhjetëra ndjekës të eventit në tavolinën e gjyqtarisë dhe komisarë, që drejtuan dhe administruan detyra të rëndësishme përgjatë aktivitetit. Ditët e etheve të mëdha, shpallja e ekipeve fituese të Kupës së Shqipërisë, meshkuj e femra, 28- 29 prill. Ky event u kurorëzua me sukses, në çdo aspekt. Pyetje të shumta u dëgjuan, si:

1. A do të ketë ndeshje në prag fushate?

2. Ku po luhen ndeshjet, ambienti shumë i bukur dhe i veçantë (nga ndjekësit virtualë)?

3. Po raste COVID-19 keni pasur përgjatë këtyre ditëve?

4. A lejohen tifozët dhe sa është bileta për të ndjekur finalet?

Interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Kushtet në të cilat filluam kampionatin, ishin pothuaj emergjente, jashtë afateve normale të një edicioni sportiv dhe mes sfidave si zënia e pallateve të sporteve. Kjo tregoi për të disatën herë se basketbolli rigjenerohet për t’u kthyer gjithmonë e më sfidues. Fituesit e Kupës u shpallën Partizani për femra dhe Teuta për meshkuj. Nuk do të kishte pasur këtë jehonë dhe shikueshmëri, pa pasur komoditetin që ofron impianti sportiv, “Dhimitraq Goga”. Infrastrukturë moderne që plotëson çdo standard normal të zhvillimit të aktivitetit. Në shërbim të plotë, sallat paralele, pajisjet e nevojshme elektronike, ndriçim të nivelit të spektakleve, ashtu sikurse u kurorëzua eventi i Kupës së Shqipërisë. Higjienë maksimale (veçanërisht e nevojshme në kushte pandemie), shërbim ambulator dhe autoambulancë në dispozicion, siguri salle, e një logjistike perfekte që i shërbeu në kohe reale eventit. Në prag të fillimit të fazës së tretë të kampionatit, deri në shpalljen e kampionëve të Shqipërisë për femra e meshkuj të rritur e rritura, ju urojmë vetëm suksese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"