Atmosfera pozitive, Erzeni me dyndje tifozësh drejt transfertës së Shkodrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2022 | 10:04

Atmosfera pozitive, Erzeni me dyndje tifozësh drejt transfertës së Shkodrës

Ndeshja ndaj Vllaznisë mezi po pritet në Shijak. Në fakt, për Erzenin përballja me shkodranët rezultoi fatsjellëse këtë sezon, pasi në javën e parë ata arritën një triumf në stadiumin “Niko Dovana” falë golit të bukur që shënoi nga distanca mesfushori brazilian, Alan.

erzeni

Dje skuadra shijakase ka kryer përgatitjet e fundit për sfidën e javës nën urdhrat e trajnerit Xhevahir Kapllani dhe stafit të tij teknik.

Grupi i lojtarëve është i plotë dhe pa asnjë mungesë. Kjo falë një pune serioze dhe të mirë të përgatitësit atletik, Aurel Locaj, i cili ka marrë më të mirën prej futbollistëve për sa i përket aspektit fizik, duke marrë parasysh që shumica e lojtarëve u afruan pa bërë një faze të mirëfilltë përgatitore përpara fillimit të kampionatit.

Dyshja e trajnerëve, Xhevahir Kapllani dhe Alfred Deliallisi, kanë bërë lëvizjet e fundit për të surprizuar Vllazninë me idetë e tyre të një futbolli ku dallon një mbrojtje e hekurt dhe dalje të rrufeshme në sulm.

Pritet të shihet nëse Erzeni do të mund ta mbyllë përsëri me “0 mbrapa” dhe të thyejë mbrojtjen shkodrane.

Gjasat janë që të luhet me të njëjtin formacion si edhe në fitoren ndaj Tiranës. Fryma e grupit dhe harmonia në dhomat e zhveshjes janë një faktor tjetër pozitiv, që po i ndihmon lojtarët të forcojnë lidhjet.

Erzeni ka qenë makth për të mëdhenjtë e Superiores, duke mundur fillimisht Vllazninë, e më pas Partizanin dhe Tiranën.

TIFOZËT – Gjëja më e bukur e këtij Erzeni janë tifozët, të cilët në një numër të madh e kanë ndjekur ekipin e zemrës në çdo ndeshje. Për ata ka menduar jo pak klubi, duke ofruar dy autobusë falas, që do të nisen sot në orën 13:30 drejt Shkodrës.

Gjithashtu, klubi ka vendosur në dispozicion edhe 100 bileta falas për tifozët. Kjo është natyrisht diçka e pazakontë, teksa drejtuesit shijakas kanë bërë diferencën, duke qenë se asnjë ekip në Superiore nuk po i suporton kaq shumë tifozët e tyre. Sot në orën 16:45 pritet një dyndje shijakasish në Shkodër.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"