Atletja nga Donjesku ka nisur stërvitjen në Elbasan, 17-vjeçarja Larina: Ndaleni luftën! Mamanë dhe gjyshen i kam në Ukrainë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 22:03

Atletja nga Donjesku ka nisur stërvitjen në Elbasan, 17-vjeçarja Larina: Ndaleni luftën! Mamanë dhe gjyshen i kam në Ukrainë

Një grup prej 10 atletësh elitarë të ekipit përfaqësues të Ukrainës, përfshirë edhe trajnerë, kanë mbërritur në qytetin e Elbasanit dy ditë më parë. Aty iu është siguruar gjithçka nga bashkia e Elbasanit, që nga akomodimi dhe deri te stërvitja.

Maria Larina

Madje, pak orë pas mbërritjes në këtë qytet, menjëherë kanë shkuar në stadiumin “Elbasan Arena”, duke mos u “trembur” nga moti i keq me shi. “Panorama Sport” vëzhgoi nga afër stërvitjen e tyre të parë, për të cilët, nëse nuk do ta dinim se janë sportistë që vijnë nga lufta, nuk do të kuptonim asgjë, sepse në fytyrat e tyre nuk kishte trishtim, por shpresë.

Flamurin e kombit të tyre e kishin prezentë edhe në stërvitje, ndërsa shoqëroheshin nga një personel i Sport Klub Elbasani, i cili u mundësonte edhe nevojat që kishin. Problemi i tyre i vetëm ishte anglishtja që nuk e zotëronin, teksa vetëm një 17-vjeçareje, Maria Larina, e cila merret me sportin e hedhjes së gjyles, mundëm t’i realizonim një intervistë të shkurtër.

Vjen nga Rajoni i Donjeskut, një vatër e nxehtë për një adoleshente që është detyruar të lërë vendin dhe familjen e saj nga lufta, pasi dëshiron të vazhdojë ëndrrën e saj në këtë sport. Ajo pret rikthimin sa më parë në shtëpi, me luftën që shpreson të marrë fund sa më parë.

Maria, si ndiheni këtu?

Ndihemi mirë. Vendi juaj është shumë i bukur dhe na pëlqen gjithçka kemi parë këtu. Jemi të lumtur, pasi tani kemi edhe një mundësi për t’u stërvitur dhe nuk na mungojnë kushtet.

Erdhët menjëherë në Shqipëri apo shkuat edhe në vende të tjera më parë?

Ishim në Ukrainë dhe nga aty shkuan në Varshavë, Poloni. Më pas erdhëm në Shqipëri dhe ja ku jemi tani këtu.

E njihnit Shqipërinë më parë?

Kisha lexuar dhe marrë informacione nga interneti më herët, edhe për faktin se më pëlqen deti dhe malet dhe ky vend i ka ato. Më pëlqen edhe të udhëtoj dhe më vjen mirë që jam në Shqipëri.

Sa e rëndësishme është për ju stërvitja?

Është shumë e rëndësishme të vijojmë stërvitjen, sepse unë jam pjesë e ekipit kombëtar të Ukrainës dhe ne kemi nevojë të vazhdojmë stërvitjen. Sezoni i garave po afron dhe ne duhet të përgatitemi për Kampionatin Botëror dhe atë Europian.

Kur mendoni se mund të ktheheni në shtëpi?

Ne duhet të kthehemi në shtëpi. Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë sepse shumë njerëz po humbin jetën dhe është shumë e tmerrshme, e rrezikshme. Por edhe nëse duhet të stërvitemi, ne duhet të kthehemi në Ukrainë.

Si është familja juaj, keni folur me ta?

Unë jam nga Rajoni i Donjeskut dhe atje është shumë situatë e nxehtë. Mamaja dhe gjyshja ime janë në shtëpi. Nëse unë dëshiroj të lëviz nëpër botë, nga ana tjetër gjyshja ime dëshiron të qëndrojë në shtëpi. Është 72 vjeçe dhe e do shumë Ukrainën, ndaj dëshiron të qëndrojë atje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"