ATLETIKË/ Zhvilloi një garë nën mesatare, Smajlaj humbet për 5 centimetra finalen e Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2021 | 10:32

ATLETIKË/ Zhvilloi një garë nën mesatare, Smajlaj humbet për 5 centimetra finalen e Europianit

Izmir Smajlaj nuk ia doli të sigurojë një vend në finalen e kërcimit për së gjati në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura që po mbahet në Torun të Polonisë. Atleti shkodran nuk mundi të përsërisë suksesin e disa viteve më parë kur shpallej kampion Europe, madje zhvilloi një paraqitje nën mesataren e tij të garave të fundit.

izmir-smajlaj

Me kërcimin 7.69 metra, Izmir Smjalaj u rendit në vendin e nëntë, duke u djegur kështu për vetëm 5 centimetra nga kualifikimi për në finalen e madhe. Në kualifikuese merrnin pjesë 14 atletë, ndërsa vetëm 8 të parët, fituan të drejtën e kalimit për në finale. Kërcimi i parë i Smajlajt ishte 7.48 metra, në provën e dytë ai regjistroi rezultatin 7.69 metra, ndërsa në tentativën e tretë atleti kuqezi shkaktoi faull, duke e mbyllur tepër i zhgënjyer aventurën e tij në Poloni.

Rezultatin më të lartë në kualifikueset e djeshme e arriti suedezi Tobias Montler, i cili regjistroi kërcimin e tij më të mirë sezonal (8.18 metra). Kujtojmë që Smajlaj e kishte nisur në mënyrë të shkëlqyer vitin, duke fituar medalje ari në ballkaniadë (kërceu 7.91 metra) si dhe dy vende të para në mitingje ndërkombëtare, por nuk mundi të përsëriste një tjetër sukses.

Shqipëria në Europianin e sallave të mbyllura përfaqësohet me dy atletë dhe sot do të jetë radha e Franko Burrajt për të zbritur në pistë. 22- vjeçari shkodran do të konkurrojë në eliminatoret e 400 metrave, duke shpresuar që të arrijë finalen. Gara kualifikuese për Franko Burrajn do të startojë në orën 10:10 të paradites.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"