Atletikë/ Vendi i 13-të në Olimpiadë, reagon trajneri i Luiza Gegës: Krenar që punoj me ty!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2021 | 20:02

Atletikë/ Vendi i 13-të në Olimpiadë, reagon trajneri i Luiza Gegës: Krenar që punoj me ty!

Me kualifikimin në finale dhe vendin e 13-të në “Tokio 2020”, Luiza Gega shënoi rezultatin më të lartë që një atlete shqiptare kishte regjistruar ndonjëherë në historinë e Lojërave Olimpike. Me rezultatet e saj, kampionia kuqezi prej vitesh qëndron në elitën e atletikës botërore, duke sfiduar rivale që kanë nga pas shtete të fuqishme me skuadra dhe stafe të gjera në dispozicion.

stermasi

Pas mbylljes së garës finale në Lojërat Olimpike të Tokios, trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stermasi, i ka kushtuar një postim special sportistes që stërvit prej vitesh. Stermasi shprehet se Luiza është sportistja që çdo trajner do të dëshironte të kishte, ndërsa tregon pse Luiza Gega mbetet një kampione e madhe brenda dhe jashtë piste. Ja postimi i plotë që trajneri Stermasi ka bërë një ditë më parë në rrjetet sociale për rekordmenen e atletikës shqiptare.

“Luiza Gega, sportistja që çdo trajner do ta donte ta stërviste. Jo më kot prita të bëj postimin tim pas mbylljes së garës finale të djeshme, pasi dua të them dy fjalë për Luizën. Sportiste që kërkon kaq shumë nga vetja. Sportiste që nuk thotë kurrë u lodha. Sportiste që s’jep kurrë objektiva që s’mund t’i arrijë. Sportiste që ul kokën dhe vetëm stërvitet. Sportistja më modeste që kam njohur. Mbi të gjitha njeri shumë i mirë.

gega

Nuk kam pse të merrem me rezultatin e arritur në kualifikuese apo të finales sepse, ti e ke treguar veten në çdo kohë se çfarë niveli ndërkombëtar je. Çdo gjë vjen sepse ti lodhesh shumë dhe asgjë s’të vjen falas. Arritjet janë në sajë të sakrificës tënde përtej vështirësive të mëdha që ke në lidhje me infrastrukturën sportive. Ti je njeri që me kokën lart, nuk u tërhoqe përballë çdo vështirësie psikologjike. Në fund të ditës ti e ke vendosur emrin tënd atje ku duhet dhe këtë nuk e kë bërë as me premtime boshe dhe as me batuta pa vlerë. Thjesht ti je Luiza Gega. Krenar që kemi punuar bashkë”, shkruan trajneri Taulant Stermasi për atleten.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"