Atletikë/ Shqiptarët shkëlqejnë në Stamboll! Izmir Smajlaj rrëmben medalje ari, argjend për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2021 | 14:20

Atletikë/ Shqiptarët shkëlqejnë në Stamboll! Izmir Smajlaj rrëmben medalje ari, argjend për…

Një medalje ari dhe një argjendi, ky është bilanci i Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në salla të mbyllura që u zhvillua të shtunën në Stamboll. Izmir Smajlaj konfirmohet edhe një herë tjetër si një atlet i përmasave ndërkombëtare, teksa me rezultatin 7.91 metra arriti të ngjitej në shkallën më të lartë të podiumit në garën e kërcimit për së gjati, duke rrëmbyer kështu medaljen e artë në Ballkaniadë.

IZMIR

Atleti shkodran konfirmon formën e shkëlqyer, teksa viti 2021 ka nisur në mënyrë perfekte për të. Për sa i përket Ballkaniadës së Stambollit, bëhet fjalë për një event më të gjerë se kufijtë ballkanikë, pasi në këtë kompeticion garonin 21 shtete. Smajlaj u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjen e tij, ndërsa pas garës, në një postim të bërë në rrjetet sociale, e komentoi kështu rezultatin e arritur: “Një garë e vështirë me konkurrues nga 21 shtete ballkanike e jo vetëm. I lumtur për rezultatin prej 7.91 m dhe vendin e parë në këtë kompeticion të rëndësishëm dimëror! Falënderime të veçanta për trajnerin tim të palodhur Gjergj Ruli, familjen time, klubin Tirana, Bashkinë Tiranë, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, FSHA dhe të gjithë ju mbështetës të sportit të bukur të atletikes”.

Një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe Franko Burraj, i cili me kohën 47:00 siguroi medaljen e argjendtë në garën e 400 metrave, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër rezultat të rëndësishëm në këtë aktivitet. Kështu, atletët kuqezinj e fillojnë mbarë sezonin, ndërsa tashmë kanë përpara të tjera evente të rëndësishme, ku do të synojnë zonën e medaljeve edhe në Kampionatin Europian që do të mbahet më 5-7 në Poloni. Kujtojmë se ky vit është tepër i rëndësishëm për të gjithë sportin shqiptar e në veçanti për atletikën, që ka përpara gara madhore, të cilat do të kulmojmë me Lojërat Olimpike.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"