ATLETIKË/ Luiza Gega fantastike, tjetër medalje ari dhe rekord në Ballkanik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 21:34

ATLETIKË/ Luiza Gega fantastike, tjetër medalje ari dhe rekord në Ballkanik

Luiza Gega po kalon absolutisht formën më të mirë të karrierës dhe këtë e konfirmoi më së miri edhe Kampionati Ballkanik i mbajtur më datat 18 dhe 19 qershor në Krajovë të Rumanisë. Atletja jonë realizoi paraqitje fenomenale, teksa u shpall kampione e dyfishtë si në 3000 metra me pengesa gjithashtu edhe në 5000 metra, duke regjistruar kohë rekord. Paraqitja e parë e shkëlqyer erdhi të shtunën, aty ku Luiza bëri të sajën medaljen e artë në 3000 m/p.

Gega

Luiza e ndali kronometrin në kohën 9:17.21 duke lenë me rreth 35 sekonda mbrapa kundërshtaren më të afërt. Kjo kohë është edhe rekord Ballkani, rezultat që tregon qartë superfuqinë e Gegës në rajon, një atlete e përmasave Botërore dhe Europiane. Mbrëmjen e sotme Luiza Gega konkurroi në garën e 5000 metrave. Ndonëse ishte gara e dytë brenda 24 orëve dhe sigurisht lodhja bën të sajën, Luiza Gega dhuroi një tjetër paraqitje prej jashtëtokësoreje. Ajo regjistroi kohën 15:16.47, rezultat që përkthehet në medalje ari, rekord Ballkani dhe rekord kombëtar.

Kështu Luiza ul me rreth 11 sekonda rekordin Ballkanik (1:27.33), por gjithashtu përmirëson edhe rekordin e saj kombëtar që kishte vendosur në muajin maj në Kupën e Shqipërisë në Shkodër (15:22.18). Kështu në harkun kohor të një muaji Luiza Gega thyen plot 4 rekorde kombëtare, duke nisur fillimisht në 5000 metra në Kupë, më pas në 3000 metra në Kampionat, në 3000 metra me pengesa në eventin e mbajtur në Holandë dhe tashmë sërish në 5000 metra në Rumani.

Rezultate që janë treguesi më i mirë për momentin e artë të Luiza Gegës. Ndalesa e radhës për kampionen tonë janë Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë, ku edhe aty mbetet favorite absolute për të fituar medaljen e artë. Luiza do të garojë në 3000 metra me pengesa, ky synon të përsërisë triumfin e Mesdhetareve të kaluara në Tarragona. Ndërkohë për sa i përket atletëve të tjerë të kombëtares kuqezi në Kampionatin Ballkanik, askush prej tyre nuk mundi që të linte gjurmë për tu afruar më zonën e medaljeve.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"