ATLETIKË/ Kampionati kombëtar i Krosit shpall më të mirët e vitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 21:24

ATLETIKË/ Kampionati kombëtar i Krosit shpall më të mirët e vitit

Federatat Shqiptare e Atletikës organizoi dje në Tiranë kampionatin kombëtar të Krosit për të rinj dhe të rritur. Eventi i mbajtur pranë Liqenit Artificial pa të garonin vrapuesit më të mirë të vendit. Asnjë surprizë te femrat, teksa Luiza Gega realizoi “formalitetin”, duke fituar garën e të rriturave.

362285_TS_13-02-18_9632757889_-768x453

“Mbretëresha” e atletikës shqiptare regjistroi kohën 28:04.13, duke lënë me diferencë pas talenten Relaksa Dauti. Ndërsa vendi i tretë shkoi për një tjetër sportiste të Tiranës, Ejona Cufen. Për të rritur, distanca 10 km, ishte Ilir Këllezi i Skënderbeut ai që e preu finishin i pari. Këllezi shënoi kohën 34:37.22 dhe la pas me diferencë Anxhelo Dangllin dhe Genc Lugjën.

Për të reja, në garën me distancë 4 km, triumfoi Redia Dauti e Tiranës, e cila e ndali kronometrin në kohën 14:55.05. Sportistja e re e “skuderisë” së trajnerit Taulant Stermasi fitoi e shkëputur nga ndjekësit dhe u konfirmua edhe një herë si një prej talenteve më premtuese të atletikës sonë. Për të rinj, distanca 6 km, kampion u shpall Amir Bahja i Elbasanit. Ai regjistroi kohën 24:00.22, duke lënë pas vetes Dionis Kushtën dhe Bleri Golin, të dy sportistë të Tiranës.

KROSI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"