ATLETIKË/ Gjysmëmaratona Ballkanike, Luiza Gega rekord në rrebesh (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2022 | 10:14

ATLETIKË/ Gjysmëmaratona Ballkanike, Luiza Gega rekord në rrebesh (TABELA E PLOTË)

Tirana dje ka pritur edicionin e nëntë të Gjysmëmaratonës Ballkanike, një aktivitet ku morën pjesë atletë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Qipro, ndërsa siç është bërë traditë, nuk munguan as sportistë nga jashtë kufijve të Ballkanit, si Azerbajxhani, Izraeli, Gjeorgjia apo Ukraina.

LUIZA GEGA 1

Përveç drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikës dhe homologëve të tyre nga vende të ndryshme, në këtë eveniment të organizuar nga bashkia Tiranë dhe FSHA, ishte i pranishëm edhe vetë presidenti i Federatës Europiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov.

Duke u kthyer te gara, edhe një herë tjetër Luiza Gega konfirmohet si kampione absolute dhe sukseset në rajon për të janë kthyer në formalitete.

Ndonëse e gjithë gara u zhvillua nën reshjet e dendura të shiut, Luiza Gega bëri një paraqitje të shkëlqyer. Ajo regjistroi kohën 1:10:58, duke triumfuar me shkëputje shumë të madhe nga rivalet.

Me këtë rezultat Luiza Gega vendosi edhe rekord të ri kombëtar, duke përmirësuar me 2 minuta e 47 sekonda kohën e mëparshme (1:13:11), të cilën e kishte shënuar në vitin 2017 po në Tiranë.

Rreth 4 minuta pas Luiza Gegës, mbërriti në finish turkja Bahar Altay, e cila u klasifikua e dyta me kohën 1:14:53, ndërsa vendi i tretë shkoi për turken tjetër Sabriye Guzelyurt, me kohë 1:16:16.

LUIZA GEGA 2

Ndërkohë, duke kaluar te meshkujt, fitues i garës u shpall Dario Ivanovski nga Maqedonia e Veriut, i cili regjistroi kohën 1:04:54. Ndërsa podiumi u plotësua nga turqit Onur Aras me kohë 1:05:35 dhe Mahsun Deger me kohë 1:06:07.

Ndërkohë, për sa u përket sportistëve kuqezi, Ilir Këllezi zuri vendin e shtatë me rezultatin 1:21:50.

Interesant është fakti se Këllezi ka kohë më inferiore edhe se 18-vjeçarja Redia Dauti (1:20:43), teksa kjo e fundit u klasifikua e pesta te femrat.

Për sa u përket renditjeve ekipore, në radhët e femrave triumfoi Turqia, ndërsa Shqipëria u rendit në vend të dytë. Te meshkujt ishte sërish Turqia që u shpall kampione. Në fund të aktivitetit u shpërndanë edhe çmimet për të gjithë fituesit.

ATL

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"