ATLETIKË/ Fantastike Luiza Gega, shpartallon rekordin në Kupë (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 9:31

ATLETIKË/ Fantastike Luiza Gega, shpartallon rekordin në Kupë (TABELA E PLOTË)

Pas 30 vitesh mungesë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër u rikthye Kupa e Shqipërisë në atletikë në pistën e tartanit të rikonstruktuar. Sportistët e të gjitha ekipeve konkurruan në garat individuale dhe ekipore.

LUIZA GEGA

Në fund të aktivitetet u shpallën edhe kampionët, ku Vllaznia fitoi Kupën për meshkuj, ndërsa Skënderbeu për femra, duke shtuar një tjetër trofe në radhët e tyre.

Ndërkohë, në këtë garë të rëndësishme u thyen tri rekorde kombëtare.

Atletja Luiza Gega përmirësoi me 15 sekonda rekordin e saj në garën e 5 mijë metrave duke e mbyllur me rezultatin 15’22’’08.

Ndërsa u thyen edhe dy rekorde të tjera kombëtare për U-20. Leandro Çardaku i Vllaznisë, një atlet që premton shumë për të ardhmen, në garën e vrapimit të 100 metrave arriti rezultatin 11’’01, duke thyer rekordin e të mirënjohurit Admir Bregu për U-20. Çardaku, pas këtij suksesi tha:

“Do të vijoj që të stërvitem shumë fort për të arritur rezultate edhe më të mira në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për të nderuar Vllazninë, por edhe flamurin e Shqipërisë”.

Një tjetër rekord, po për U-20, u thye nga atletja e Skënderbeut, Elisa Myrtollari, edhe ajo në garën e shpejtësisë së 100 metrave, teksa arriti rezultatin 12’’28 duke thyer rekordin që mban po vetë.

“Shpresoj që të vazhdoj edhe në të ardhmen me këtë paraqitje pozitive, ndërsa synimet e mia janë rezultate sa më të larta në çdo garë që do të marr pjesë”, u shpreh Myrtollari.

Në fund të Kupës së Shqipërisë atleti më i mirë për meshkujt u shpall zmir Smajlaj, i cili gjithashtu u shpall edhe kampion në kërcimin së gjati me rezultatin 7.87 m.

Në kërcimin e fundit Izmir Smajlaj pësoi një dëmtim në gjurin e tij dhe u detyrua që të transportohet me barelë përmes një ambulance drejt spitalit rajonal të Shkodrës, duke marrë ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Sipas burimeve, Smajlaj ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe pritet që brenda një kohe të shkurtër t’u rikthehet sërish stërvitjeve dhe garave të rëndësishme që e presin kampionin e Europës. Ndërsa atletja më e mirë për femra u shpall Luiza Gega.

Pasi mori Kupën, Gega u shfaq e lumtur për paraqitjen e bërë, duke thyer me plot 15 sekonda rekordin.

“Tani do të vazhdoj përgatitjet për kampionatin kombëtar, por edhe për garat ndërkombëtare, duke qenë se vëmendja kryesore janë rezultatet e larta në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ndër të tjera atletja më e mirë e Shqipërisë.

Në fund të eventit, kryetrajneri i ekipit të Vllaznisë, Albert Marashi, ndihet i lumtur që Vllaznia vijon të jetë skuadra absolute e atletikës për meshkuj duke arritur rezultate të larta.

Marashi u shpreh se atletët shkodranë premtojnë shumë për të ardhmen dhe se Shkodra e meritoi zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm në stadiumin “Loro Boriçi”.

Përveç drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikës, këtë aktivitet e ndoqi nga afër edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, i cili tha se ajo që duhet të ndodhë është një mbështetje më e madhe për sportin dhe për sportistët në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë, ndërsa siguroi se Komiteti Olimpik do të japë mbështetjen e plotë.

RE

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"