ATLETIKË/ Europiani, Luiza Gega kërkon sot kualifikimin në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 8:59


ATLETIKË/ Europiani, Luiza Gega kërkon sot kualifikimin në finale

Prej datës 15 gusht në Mynih kanë nisur garat e Kampionatit Europian të atletikës, një eveniment madhor i “mbretëreshës së sporteve” në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, që përfaqësohet nga Luiza Gega.

gega

Kampionia kuqezi, e vetmja atlete shqiptare brenda normave europiane, do të zbresë në pistë paraditen e sotme për të garuar në kualifikueset e 3000 metrave me pengesa.

Gega do të konkurrojë në Baterinë 1 (gara starton në orën 9:20) dhe do të kërkojë një vend në finale.

Luiza vjen në një formë shumë të mirë në këtë aktivitet, teksa mban vendin e parë në renditjen europiane, që është edhe treguesi më i mirë sezonit fantastik që po kalon.

Kështu kalimi në finalen e Kampionatit Europian duket një formalitet për kampionen tonë, që në Gjermani synon futjen në zonën e medaljeve, për të vijuar me paraqitjet e jashtëzakonshme.

Ky është një vit i artë për kampionen kuqezi, e cila ka shënuar rezultate të pabesueshme duke vendosur rekorde të shumta.

Kujtojmë se vetëm një muaj më parë, 33-vjeçarja regjistroi rezultatin më të lartë në historinë e atletikës shqiptare në një Kampionat Botëror.

Ajo u klasifikua në vend të pestë në Oregon me kohën 9:10.04, duke thyer me rreth 4 sekonda e gjysmë rekordin kombëtar që kishte vendosur në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, aktivitet ku fitoi medaljen e artë.

Por së fundmi pritet të kemi një tjetër surprizë për Luizën, që pritet t’ia përmirësojë edhe me një vend klasifikimin e Botërorit të Oregonit, duke e dërguar në pozicionin e katërt.

Mësohet se burime konfidenciale nga Federata Botërore e Atletikës kanë bërë të ditur se njëra nga katër sportistet që janë renditur para Luiza Gegës në Kampionatin Botëror ka rezultuar pozitive me doping.

Megjithatë, pritet konfirmimi zyrtar, pasi të mbyllen procedurat përkatëse, që do të azhurnojë edhe klasifikimin e ri, me Luizën që do të fitonte një pozicion, duke e përmirësuar edhe më shumë rezultatin historik që shënoi në SHBA.

PANORAMASPORT.AL