Atletika vishet në ar, Smajlaj e Gega pushtojnë Ballkanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2018 | 11:58

Atletika vishet në ar, Smajlaj e Gega pushtojnë Ballkanin

Atletika shqiptare dje është veshur në ar, në kryeqytetin turk, ku Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega kanë pushtuar Ballkanin. Ka qenë një nisje e mbarë për atletikën shqiptare ky vit, pasi dy atletët tanë, kampionë të Ballkanit, kanë marrë medalje të arta në kampionatin ballkanik të garave në sallat e mbyllura. Luiza Gega, në garën e vrapimit 3000 metra, dhe Izmir Smajlaj, në kërcimin së gjati, janë treguar absolutë kundrejt rivalëve në disiplinat përkatëse.

luiza-gega-840x440

Eventi, që u zhvillua dje në stadiumin “Atakoy Athletics Arena” në Stamboll të Turqisë, ka bërë që shqiptarët të sundojnë Ballkanin, aty ku dy ikonat e atletikës shqiptare, jo vetëm që nuk zhgënjyen me paraqitjet e tyre, duke marrë medaljet e arta, por na kanë bërë krenarë duke veshur kuqezi Stambollin. Luiza Gega doli e para në garën e 3,000 metrave, duke dhënë kohën 9 minuta e 6 sekonda, ndërsa Izmir Smajlaj triumfoi në garën e kërcimit së gjati, ku atleti shkodran dha rezultatin 7,80 metra, një kërcim i mjaftueshëm për të siguruar vendin e parë dhe për të varur në qafë medaljen e artë.

Baku-2015-Luiza-Gega-Izmir-Smajlaj-vetme

Një paraqitje e shkëlqyer e dy atletëve tanë kjo që jep premisat e para në përgatitjen për eventet e rëndësishme ndërkombëtare, siç është Kampionati Europian dhe ai Botëror. Luiza Gega, ashtu si dhe më parë, i ka shtuar vetes edhe një tjetër medalje të artë. Vitin e kaluar po në Stamboll, Luiza Gega mori një tjetër medaljen të artë në garën e 1500 metrave. Ashtu si dhe një vit më parë, atletja jonë ka shënuar kohën më të shpejtë edhe në garën e 3000 metrave, gjatë garës së djeshme me 9 minuta e 6 sekonda.

Izmir Smajlaj kampion Europe

SHQIPËRIA – Për Shqipërinë pjesëmarrëse të kampionateve ballkanike që nga viti 1946, kur u zhvillua për herë të parë në Tiranë, kjo e Stambollit ishte e 34-ta, duke marrë pjesë me 6 atletë: Luiza Gega e Iveta Urshmi për femra dhe Izmir Smajlaj, Franko Burraj, Ergys Gjecaj dhe Marko Makaj për meshkuj. Të cilët kanë garuar duke treguar edhe njëherë rezultatet e kënaqshme të tyre, por mbi të gjithë qëndrojnë Mbreti Izmir Smajlaj dhe Mbretëresha Luiza Gega, që veshën e stolisën me ar Shqipërinë më të mirën e Ballkanit.

Atletet shqiptare

Luiza Gega doli më e mira midis 11 garueseve: Luljeta Shala (Kosova), Silvija Georgieva (Bullgaria), Katarina Vukançiç (Kroacia), Olesea Smovjenco (Moldavia), Diljana MInkina (Bullgaria), Teodora Simoviç (Sërbia), Klaudia Prisecaru (Rumani), Valeria Zhandarova (Qipro), Fatma Arik (Turqia), Emine Hatun Tuna (Turqia). Atletika shqiptare po shënon gjithnjë arritje të shkëlqyera në disa disiplina dhe që presin të shtohen gjatë këtij viti, në evenimentet e ardhshme europiane e botërore.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"