Atletët ukrainas luftojnë për ëndrrat në Shqipëri, rrëfimet prekëse: Jetët tona kanë ndryshuar, por duam…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2022 | 23:59

Atletët ukrainas luftojnë për ëndrrat në Shqipëri, rrëfimet prekëse: Jetët tona kanë ndryshuar, por duam…

Në Shqipëri, disa atletë të rinj ukr ainas po stërviten për të përmbushur ëndrrat e tyre për lavdinë sportive ndërkombëtare, pavarësisht dhimbjes së largimit nga vendi i tyre, i pushtuar nga trupat ruse dhe ankthit që ndiejnë për të afërmit e tyre që janë ende në tokën ukrainase.

Atletet ukrainas

Tetë atletët, katër vajza dhe katër djem, duan të nderojnë vendin e tyre dhe prej disa javësh vijojnë stërvitjet intensive në stadiumin e Elbasanit.

RRËFIMET – “Kjo luftë ka ndryshuar jetën tonë, por jo ëndrrat tona”, thotë Mariya Larina, 17-vjeçarja që konkurron në disiplinën e hedhjes së gjyles dhe që ka përfaqësuar Ukrainën në evente ndërkombëtare. Sfida e saj aktuale është të arrijë në finalet e Kampionatit Botëror të Atletikës për të rinj, që do të mbahet në gusht në Kolumbi.

Me keqardhje të madhe, këta të rinj që vijnë kryesisht nga Bakhmuti, në rajonin e Donetskut (Ukraina Juglindore), vendosën të largoheshin nga vendi, të shtyrë nga pamundësia e stërvitjes në shtëpitë e tyre. Më 27 mars, tetë adoleshentët, të shoqëruar nga dy trajnerë, u larguan nga qyteti i tyre për të shkuar në Lutsk, në perëndim të vendit, përpara se të shkonin në Varshavë, ku më pas prej kryeqytetit polak mundën të fluturonin drejt Shqipërisë. Udhëtimi i tyre u financua nga Komiteti Olimpik i Ukrainës dhe delegacioni po qëndron në një hotel në Elbasan, të paguar nga bashkia e qytetit.

“Është shumë e vështirë dhe e pamundur për ne që të stërvitemi në Ukrainë tani”, thotë Mariya, e cila shkëlqeu në Kampionatin Europian të Atletikës për Junior 2021 në Estoni, si dhe mori medaljen e argjendtë në Kampionatin Ballkanik U-18 në të njëjtin vit në Serbi. Gjatë një seance stërvitore në stadiumin “Elbasan Arena”, atletët vrapojnë, kërcejnë dhe shtrihen nën muzikën e Dr. Dre, Dua Lipa ose Dzidzio, një grup ukrainas, ritmi i të cilit i ngushëllon.

ME SY E VESHË NGA LAJMET – Edhe në stadium, Mariya e ka të pamundur të mos e mbajë mendjen te zhvillimet që po ndodhin në vendin e saj, teksa kërkon gjatë gjithë kohës që të azhurnohet me lajmet. Nëna dhe gjyshja e saj vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, në Ukrainë.

“Situata në të gjithë rajonin e Donetskut është e vështirë. Është e rrezikshme për jetën e tyre”, rrëfen me zë të dridhur adoleshentja. Pak javë më parë Mariya pa se një predhë ishte përplasur pranë shtëpisë së saj. “Isha shumë e shqetësuar”, shton ajo. Kur arriti të fliste me nënën e saj në telefon, ajo i tha se “ishte shumë e frikësuar dhe nuk mund të ndaloja së qari”. Në gjithë këtë situatë të vështirë për të, Mariya tregon gjithashtu vlerësimin e saj për pritjen e ngrohtë që po u bëhet në Shqipëri. Ashtu si Mariya, shumë sportistë të rinj janë strehuar jashtë vendit, në shtete si Bullgaria, Turqia, Itali etj.

“Megjithatë, shumë nuk mund të largoheshin nga Ukraina dhe ne jemi të shqetësuar për fatin e tyre”, thotë Pavlo Zadorozhniy, 60 vjeç, një nga trajnerët e grupit. Valentyn Loboda, 17 vjeç, praktikon kërcimin me shkop. Për të është hera e parë që largohet nga Ukraina dhe ai vazhdon të jetë ende në shok. “Jeta ime ka ndryshuar sepse sot jam në Shqipëri dhe familja ime në Ukrainë. Nuk e mendoja që hera ime e parë jashtë shtetit do të ishte kështu”, thotë i riu, teksa në sy i dallohet qartë dëshpërimi. Ndonëse po stërvitet me të gjitha forcat, ai e ka shumë të vështirë të përqendrohet në një situatë të tillë.

“PO GËLLTISIM LOTËT” – “Është shumë e rrezikshme të vazhdosh në Ukrainë. Kjo luftë vret njerëz”, shton Valentyn Loboda, i cili flet çdo ditë me të afërmit e tij dhe përpiqet t’i qetësojë ata. “Tani jam burrë, më duhet të gëlltis lotët dhe të qëndroj i qetë”, rrëfen ai. Para se të largohej, rezultatet e tij sportive nuk ishin të mëdha, por pavarësisht kësaj ai është i vendosur të kërcejë sa më lart për ta bërë të ëmën krenare për të.

Edhe pse ata jetojnë larg luftimeve që janë ndezur në Ukrainë që nga pushtimi rus në fund të shkurtit, lufta po dëmton rëndë gjendjen e tyre mendore. “Konflikti ndikon shpirtërisht dhe emocionalisht”, thekson trajneri Zadorozhniy. “Ata ndjekin gjithçka që ndodh në Ukrainë, janë në kontakt me familjet e tyre. Situata është e vështirë dhe të gjithë janë shumë të shqetësuar”, deklaron 60-vjecari. Hanna Tkachova, 19- vjeçare, një hedhëse çekiçi, mësoi ditët e fundit se babai i saj ishte plagosur pranë Volnovakha, një qytet në veri të Mariupolit.

Trishtimi dhe ankthi u përhap në të gjithë grupin. “Por ne nuk jemi të demotivuar dhe do të vazhdojmë të luftojmë shumë për të dhënë më të mirën nga vetja, – thotë Mariya. – Lufta ka ndryshuar jetën time, por nuk ka ndryshuar ëndrrën time për të fituar në Kolumbi për të treguar se Ukraina është një vend i forte”. Sepse, pavarësisht gjithçkaje, “të gjithë janë të vendosur të fitojnë për nder të flamurit dhe të vendit”, siç shprehet në fund trajneri Zadorozhniy.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"