Atalanta pret Valencian në “San Siro”, bergamaskët gati të bëjnë histori me Gjimshitin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 10:04

Atalanta pret Valencian në “San Siro”, bergamaskët gati të bëjnë histori me Gjimshitin

Atalanta do të presë sot në mbrëmje në “San Siro” në prani të më shumë se 50 mijë tifozëve skuadrën e Valencias. Sfidë historike e italianëve të cilët për herë të parë në historinë e klubit kanë arritur deri në këtë fazë të Champions-it. Trajneri Gasperini ka vendosur të hedhë në fushë nga minuta e parë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. 

gjimi

Shtatlarti ishte një nga lojtarët më të mirë në fundjavën që lamë pas për zikaltrit që mundën 2-1 Romën në shtëpi dhe hodhën një hap të sigurt drejt kualifikimit në Champions për sezonin e ardhshëm. Gjimshiti ishte lojtari që bëri më shumë ndërhyrje të sakta ndaj romanistëve duke marrë duartrokitjet e publikut, por edhe vlerësimin e trajnerit italian. Ndërkohë, në Itali besojnë shumë te një rezultat pozitiv i skuadrës zikaltër që një armë të fortë ka edhe lojtarët e stolit.

atalanta144444444444444

“Sportmediaset” renditi të gjitha ndeshjet që janë zgjidhur nga lojtarët që kanë ardhur nga pankina. Ndeshja e fundit ndaj Romës e vërteton më së miri këtë fakt. Kur rezultati ishte 1- 1, Gasperini vendosi të fuste në lojë mesfushorin Pasaliç, i cili shënoi golin e dytë për vendësit duke i dhuruar tri pikë të çmuara skuadrës së tij.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në ndeshjen me Fiorentinën kur Malinovski shënoi golin e 2-1 në minutën e 72-të kur rezultati ishte në barazim 1-1. Në ndeshjen me spanjollët interesimi ka qenë maksimal nga tifozët e Atalantës dhe jo vetëm të cilët pritet të mbushin treçerekun e kapacitetit të “San Siro”-s në një natë magjike për ta dhe për futbollin italian që sot më shumë se kurrë do të bëjnë tifo për zikaltrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"