“Ata kanë 20 lojtarë, largimet s’ndikojnë”/ Karabeci: Partizani ende i fortë, nuk shkojmë për barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 12:02

“Ata kanë 20 lojtarë, largimet s’ndikojnë”/ Karabeci: Partizani ende i fortë, nuk shkojmë për barazim

Teuta do të ndeshet ditën e sotme përballë Partizanit në transfertë, për sfidën e vlefshme për javën e 18-të të Superiores, në orën 16:00. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” mesfushori i bluve, Erando Karabeci, u shpreh se skuadra do të bëjë çmos për ta fituar këtë sfidë dhe thekson se rëndësia ndaj kundërshtarit nuk ndryshon aspak, pavarësisht se të kuqve u janë larguar Bitri dhe Skuka.

erando karabeci

Erando, çfarë ka ndryshuar te Teuta në javët e fundit?

Mendoj se jemi bërë pak më të përgjegjshëm për ta kuptuar situatën, kemi qenë pak më agresiv. Për këtë kanë ndikuar edhe rezultatet e fundit, përveç ndeshjes ndaj Vllaznisë, kemi marrë rezultate pozitive ndaj skuadrave që janë të forta në këtë kampionat. Kjo e ka ndihmuar ekipin moralisht për të krijuar vetëbesim dhe për të marrë maksimumin nga ndeshjet që kemi.

Çfarë mund të kishte bërë më mirë skuadra? Keni peng ndonjë ndeshje ku mendoni se mund të kishit marrë më tepër?

Nuk mund të cilësoj ndonjë ndeshje në veçanti, pasi janë shumë përballje, ku skuadra mund të kishte bërë më mirë. Ka pasur ndeshje, ku jemi ndëshkuar për gabimet tona. Ka pasur të tjera, ku kemi qenë në avantazh dhe na janë kthyer nga kundërshtari. Këto janë gabime që nuk tolerohen, kështu që për shkak të kësaj jemi në këto pozita, por shpresoj që t’ia kemi lënë së kaluarës. Tani nga çdo ndeshje s’duhet të dalim pa pikë nga fusha e lojës, pasi mundësitë i kemi.

Jeni në zonën e rrezikut, besoni se do të dilni shpejt nga fundi i tabelës?

Nëse vijojmë me këtë dëshirë që kemi treguar në javët e fundit, besoj se shumë shpejt do të dalim. Të jemi i sinqertë, me grupin që kemi, nuk e meritojmë të kemi këtë renditje, pavarësisht se e meritojmë për atë çfarë kemi treguar në fushë. Gjithsesi, jam shumë i sigurt që ky grup ka potencial për të shkuar me lart në renditje.

Kjo Teutë është thjesht për mbijetesë apo mund të shikojë edhe më lart?

Për atë që kemi treguar, për momentin jemi te zona e rrezikut. Kjo gjë nuk tregohet me fjalë, por behet me vepra. Në momentin që ne do të tregojmë më të mirën tonë dhe të marrim rezultate pozitive, normale që do të ngjitemi më lart. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe t’i trajtojmë të gjithë me seriozitetin, përqendrimin dhe agresivitetin që kemi treguar në ndeshjet e fundit.

Luani me Partizanin, çfarë prisni nga ky takim?

Luajmë përballë një kundërshtari shumë të fortë, ata janë një nga tri ekipet me të mira të kampionatit për momentin. Rëndësia e kësaj ndeshjeje dihet, ne do të shkojmë me besimin maksimal që të marrim një rezultat pozitiv që te marrim maksimumin. Nuk shkojmë me mendimin që thjeshtë mos të humbasim. Ky kampionat ka treguar që nuk ka diferenca, kush përqendrohet dhe jep më të mirën në fushë, mund të fitojë.

Një pikë me të kuqtë do të ishte “OK”?

Mendoj që kjo është në varësi të ndeshjes, me atë çfarë ti jep në fushën e lojës, sepse mund të zhvillosh një ndeshje shumë të mirë dhe ke dominuar kundërshtarin, por kur merr një pikë dhe ke merituar më shumë nuk je i kënaqur. Nëse nuk je në ditën tënde dhe kundërshtari të dominon, është rezultat i pranueshëm. Gjithsesi, për të përballuar Partizanin do të duhet të japim maksimumin tonë.

Fakti që kundërshtari ka pasur largime të rëndësishme si Skuka dhe Bitri, ua shton shanset për të marrë rezultat pozitiv?

Kjo gjë ne nuk duhet ta na shpërqendrojë dhe ta nënvlerësojmë prej faktit që atyre u janë larguar dy lojtarë të rëndësishëm. Unë mendoj se Partizani ka një grup jo prej 11 futbollistesh, por prej 20 lojtarësh dhe kushdo që do të luajë, do të bëjë punën që kanë bërë ata që u larguan. Normale që ata ishin dy lojtarë shumë të rëndësishëm për atë skuadër, por mendoj se Partizani ka lojtarë të aftë për t’i zëvendësuar. Për ne është e njëjta gjë si të ishin ata të dy, si jo. Do të japim më të mirën tonë që të marrim maksimumin.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"