“Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur kështu”, sulmi “çmend” Maganin e Bizhdilin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2019 | 14:53

“Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur kështu”, sulmi “çmend” Maganin e Bizhdilin

Besa ka gjetur fitoren e parë në kampionat, pasi ka mundur 2-0 Elbasanin, por edhe këtë radhë trajneri Gugash Magani është i pakënaqur, ashtu sikurse edhe presidenti Nexhat Bizhdili.

bizhdili magani

Loja e kavajasve, në fakt, ka qenë mjaft e mirë dhe rastet për shënim ishin të shumta, por nuk janë konkretizuar nga dy sulmuesit kryesorë të skuadrës, Onuh dhe Cara. Për këtë arsye, trajneri peqinas është parë i mërzitur pas fitores 2- 0 ndaj Elbasanit.

Po ashtu, presidenti Nexhat Bizhdili ka lënë stadiumin “Roza Haxhiut” pa përfunduar takimi. “Kurrë nuk më kishte ndodhur që ekipi im të shpërdoronte aq shumë raste të pastra shënimi. Raste pa fund humbëm me Elbasanin, ku duhej të kishim fituar me goleadë. Detyra ime dhe e çdo trajneri është që ta bëjë ekipin të prodhojë lojë dhe raste shënimi. Besa e bëri shumë mirë këtë gjë, edhe u mbrojt mirë, ndaj dhe të vjen keq kur sheh që shpërdorohen ato raste edhe pa portier. Kjo do të thotë se djersa e gjithë grupit të hidhet në kosh nga papërgjegjshmëria dhe dëshira për të shënuar vetë me çdo kusht”, thekson në fillim të prononcimit për “Panorama Sport” trajneri Magani.

BIZHDILI – “Mësova se presidenti Bizhdili është larguar pa mbaruar takimi, ndoshta i nervozuar njësoj si unë për ato raste të shpërdoruara. Gjej rastin të pohoj se presidenti dhe tifozët kanë të drejtë të jenë të pakënaqur me një lojtar apo një situatë loje, por në fund jam unë që vendos.

Kudo ku kam drejtuar, kam vepruar kështu dhe kështu do të bëj gjithmonë. Zëvendësimet i kryej gjithmonë sipas bindjes sime, duke parë gjendjen e çdo lojtari gjatë javës dhe gjatë ndeshjes”, ka deklaruar trajneri Magani, i cili edhe një ditë pas ndeshjes ishte nervoz. Presidenti Bizhdili, që njihet për natyrën e tij impulsive, nuk u kënaq nga ekipi dhe largimi i tij nga stadiumi para kohe nuk i ka lënë shije të mirë trajnerit peqinas. Ndoshta kreut të skuadrës kavajase nuk i ka pëlqyer edhe ndonjë vendim i trajnerit, pavarësisht nga fitorja e Besës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"