“Asnjë synim në Kupë, s’i përballojmë dot dy trofe”, Kashami: Mungon luksi në stol, ngjitja prioritet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 12:47

“Asnjë synim në Kupë, s’i përballojmë dot dy trofe”, Kashami: Mungon luksi në stol, ngjitja prioritet

Besa është “fiksuar” pas ngjitjes, aq sa dorëzohet para Kupës së Shqipërisë. Sot do të luajnë me Pogradecin, për llogari të turit të parë, megjithatë qartazi e thonë që nuk e kanë objektiv. Klubi ka vendosur që këtë ndeshje ta luajë në aneksin stërvitor, derisa i plotëson kushtet për këtë fazë të kompeticionit. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës kavajase shpalos planin për këtë 90- minutësh:

Kashami Besa

“Jemi koshientë se me grupin që kemi mund të shkojmë larg në Kupë. Nuk janë mundësi që t’i përballojmë të dy trofetë. Në këto kushte, kemi vendosur që e gjithë vëmendja jonë të përqendrohet te kampionati. Ai mbetet synimi ynë madhor. Thënë ndryshe, në Kupë do ecim sa të mundemi e përfitojmë në funksion të kampionatit. Besa nuk ka një stol luksi dhe numër të lartë futbollistësh, që të mos ‘torturohej’ në Kupë.

Me kontingjentin që kemi përballojmë me sukses kampionatin dhe jo të dy trofetë”. Kjo është edhe arsyeja që sot përballë Pogradecit, nuk dihet ende se cili do të jetë formacioni.

Ajo që dihet mbetet vetëm dëshira për të ecur sa më shumë të jetë e mundur. “Ndaj Pogradecit do të hedh në fushë një formacion ‘miks’, duke menduar paralel si për Pogradecin, ashtu edhe për Korabin. Do t’i jap shansin stolit, për të kuptuar kush meriton të jetë më afër 11-shes.

Me prurjet e shumta në merkato, ata kanë nevojë për minuta që të konsolidohen. Gërshetimi i afrimeve me kontingjentin e vjetshëm do të jetë prioritet për ne”, përfundoi Kashami.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"