Asnjë shenjë jete, klubi që ka bërë histori në Shqipëri rrezikon të mos marrë pjesë në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2022 | 14:46

Asnjë shenjë jete, klubi që ka bërë histori në Shqipëri rrezikon të mos marrë pjesë në kampionat

Më 1 tetor pritet të nisë edhe Kategoria e Dytë.

egnatia elbasani

Thuajse të gjitha skuadrat kanë nisur nga puna kur mbetet edhe një muaj nga starti i sezonit, përveç KF Elbasanit, klub nga i cili nuk ka asnjë informacion se kur do të nisë nga puna.

Ky klub, dy herë kampion i vendit dhe po kaq i Kupës së Shqipërisë, ka qenë i identifikuar këto 15 vitet e fundit me vetëm një emër: Arben Lazen.

Mirëpo, fill pas ndarjes së tij nga jeta në janar të këtij viti, duket se gjërat morën një tjetër rrjedhë, duke mos pasur më njeri për “zot”, edhe pse aksionet i trashëgon familja dhe deri në mbyllje të kampionatit u munduan ta mbanin në këmbë.

SITUATA – Duke parë situatën me të cilën u përball klubi, ku pas krijimit të AF Elbasanit, skuadra tjetër e qytetit kaloi në plan të dytë, për të ardhur deri në pikën ku rrezikon edhe pjesëmarrjen në kampionat.

Nëse sezoni i kaluar u mbyll mes shumë peripecish, rreziku shumë i madh vjen për këtë sezon.

KF Elbasani aktualisht ekziston vetëm në letra, sepse një muaj para startit të sezonit nuk kanë përcaktuar ende trajnerin e ri dhe skuadrën me të cilën do të marrin pjesë.

E gjitha është në dorë të familjes Laze, nëse do të vazhdojë të investojë këtë sezon apo do të gjejë zgjidhje për ta shitur klubin dhe t’i japë mundësi ndonjë investitori për ta ringritur.

Mbetet e gjitha për t’u parë, teksa në tryezë janë të tria opsionet: pushimi këtë vit që nënkupton zbritjen në Kategorinë e Tretë, investimi nga pronarët apo shitja te palët e interesuara.

KAMPIONATI – Megjithatë, edhe pse situata duket e zymtë, ka ende shpresë që ky klub të vazhdojë të ekzistojë dhe të marrë pjesë normalisht në kampionat.

Në sezonet e fundit, kjo skuadër e ka nisur gjithnjë punën në muajin e fundit para startit të kampionatit, me një situatë që janë ndeshur edhe më herët.

Ndaj, ende nostalgjikët e kësaj skuadre do të vijojnë të shpresojnë që ta shohin sërish në fushë ekipin, edhe pse çdo ditë që kalon, punon në dëm të klubit.

Këto ditë pritet të ndahen grupet e kësaj kategorie dhe të hidhet kalendari, ku mbetet për t’u parë nëse ky klub do të marrë pjesë apo ndoshta këtë sezon do të bëjë pushim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"