“Asnjë rrezik, vitin tjetër pretendentë”, Bruka: E shmangim ndeshjen shtesë, shkarkojmë ‘bateritë’ me Orikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2021 | 12:20

“Asnjë rrezik, vitin tjetër pretendentë”, Bruka: E shmangim ndeshjen shtesë, shkarkojmë ‘bateritë’ me Orikun

Besëlidhja është gati për të pritur sot Orikun. Përballen dy skuadra që ende nuk i janë larguar vendit që të çon në ndeshjen shtesë, ndaj pritet që të jetë e luftuar. Të avantazhuar janë lezhjanët, por zyrtarisht asgjë nuk ka mbaruar. Megjithatë, Alban Bruka nuk është i shqetësuar.

alban bruka

Ai nuk e ndien aspak rrezikun, ndërsa paralajmëron që do të zbresin në fushë për të fituar dhe siguruar njëherë e mirë mbijetesën në Kategorinë e Parë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpall objektivin për sezonin 2021-2022. Këtë vit dështuan, por të ardhshmin do të ndërtojnë ekip për pretendime madhore. “Duke e lënë pas fitoren me Partizanin B, tani të gjitha bateritë i kemi karikuar për Orikun. Sido që rrodhën ngjarjet, Besëlidhja thuajse ka dalë nga zona e rrezikut. Jemi të qetë dhe të vendosur që ta ruajmë serinë e fitoreve deri në finish.

Por, kjo varet nga mirëmenaxhimi i lojës, duke minimizuar gabimet e evidentuara deri tani. Pozitive për ne është fakti se pjesën dërmuese të futbollistëve i kemi në dispozicion, çka na jep mundësinë për t’iu përshtatur stilit të kundërshtarit. Duke qenë të sigurt që Besëlidhja edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë, kemi nisur që tani vëzhgimin e elementëve kualitativë që do t’i mbajmë në skuadër dhe për prurjet e reja që do të na nevojiten. Shpresoj që për sezonin e ardhshëm të ndërtojmë një skuadër, e cila do të jetë e aftë për të pretenduar seriozisht elitën. Erdhi koha që Besëlidhja të rikthehet aty ku e ka vendin”, përfundoi Bruka.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"