“Asnjë rival, dua afrime në merkato”, Abazaj: Pres që të takohem me presidentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 14:49

“Asnjë rival, dua afrime në merkato”, Abazaj: Pres që të takohem me presidentin

Ardjan Abazaj “skanon” Pogradecin. Vërtet nuk e priste që fundi i 2019-ës t’i gjente në maja, por tani është i bindur që ekipi i tij nuk ka rivalë dhe të gjithë duan ta mundin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri vlerëson lojtarët që drejton dhe konfirmon se ata do të mbeten pjesë e grupit edhe në vazhdim. Por kjo nuk do të thotë që nuk dëshiron afrime, e megjithatë saktëson se fillimisht duhet të përcaktohet buxheti prej presidencës.

Ardian Abazaj

E kishte menduar Abazaj se fundi i 2019-ës do t’ju gjente kryesues?

Të jem i sinqertë, jo. E nisëm keq kampionatin dhe kjo më bëri disi pesimist. Por thellë brenda vetes besoja. Prej përvojës dhe mbi të gjitha duke njohur grupin, e dija që situatat do të ndryshonin. E di çfarë aftësisë kanë këta lojtarë, ndaj i mëshuam shumë punës dhe ja ku jemi, në krye të renditjes. Tani e them me bindje se ky është një sukses i të gjithëve, duke filluar nga presidenca, stafi dhe futbollistët.

Si ju është dukur gara në këto 12 javë, pasi është krijuar përshtypja se nuk keni pasur rivalë?

Rivalitet vërtet ka, por rivalë jo. Ne garën e kemi me veten tonë. Me këtë dua të them se ekipi ka besim, tregon grintë dhe dëshirë në lojë, por mbi të gjitha punon fort.

Çfarë keni ju më shumë se kundërshtarët?

E veçanta e këtij grupi është vetëm një. Asnjë ekip si ne nuk i përmbys dot rezultatet e një disavantazhi. Janë jo të pakta rastet që ne edhe pse në humbje, e kemi kthyer ndeshjen në favorin tonë. Kjo bën diferencë nga të tjerët.

Abazaj222

Cili është ai repart që ka funksionuar më mirë te Pogradeci juaj?

Nuk mund të bëj dallime të tilla, pasi forca jonë është grupi. Vërtet kemi edhe futbollistë që bëjnë diferenca apo japin zgjidhje në momente të caktuara, shënojnë dhe mbrojnë mirë portën, por le ta lëmë me kaq. Një ekip që mbizotëron një atmosferë kolektiviteti, nuk dua ta cenoj.

Kampionati është ndalur, por pushimet kur do t’i merrni?

Në këto momente që po flasim, siç edhe e shihni, ne jemi në proces stërvitor, do të vazhdojmë përgatitjet deri në datën 28 dhjetor. Do të bëjmë disa ditë pushim dhe më 6 janar fillojmë nga faza përgatitore. Por unë kam akoma punë, pasi do të takohem me presidentin për të biseduar.

Për çfarë do të bisedoni konkretisht, nëse mund të na zbuloni diçka?

Për gjithçka dhe kjo lidhet për vazhdimësinë. Do të doja të afroja disa futbollistë në merkato, për të qenë edhe më të sigurt për ngjitjen. Por sa herë them “Superiore”, nuk nënkuptoj që ka mbaruar. Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi para shumë ndeshje.

Në cilat reparte do të fokusoheni në merkato ? 

Është shumë shpejt për të bërë publike emrat apo pozicionet. Kini pak durim. Ju siguroj se në momentin që do të kemi edhe më shumë buxhet, do të hyjmë fuqishëm në merkato për të krijuar një grup për më tej.

ardian abazaj

Do të ketë rrjedhje nga grupi aktual?

Është shpejt, jua thashë. Por do të shtoja se ky grup do të vazhdojë. Futbollistët kanë shprehur dëshirën për të qëndruar dhe ne nuk kemi asnjë hezitim për t’i pasur në mesin tonë, për këtë ju jap të gjithëve siguri.

Çfarë prisni nga 2020-ta?

Do të jetë një rrugëtim i vështirë. Çdo ekip tani luan për të na mundur ne. Fazat në vazhdim do të jenë shumë të ashpra dhe të gjithë do tentojnë të marrin pikë për të realizuar objektivat e veta. Por ne do të bëjmë detyrën siç edhe kemi bërë deri tani.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"