Asnjë pikë përballë Tomorit, Kashami sheh përtej “hakmarrjes”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 22:56

Asnjë pikë përballë Tomorit, Kashami sheh përtej “hakmarrjes”

E dalë tashmë jashtë çdo objektivi, Besës nuk i ka mbetur tjetër veç të mendojë për sezonin e ri. Me këtë synim pritet të zhvillohet edhe ballafaqimi i fundit i këtij sezoni, teksa verdhezinjtë presin Tomorin në Luz. Beratasit janë të vetmit që u kanë rrëmbyer deri tani 9 pikë të plota kavajasve.

Kashami

Megjithatë, Ndiçim Kashami nuk mendon për “hakmarrje”. Trajneri kërkon të shohë përtej kësaj përballjeje dhe planin e zbulon gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Ai mendon që t’u japë shansin të rinjve që të tregojnë veten dhe ata që do ta shfaqin vlera, mund të kenë kredite për vazhdimësinë. “Është ndeshja e fundit dhe që në takimin e shkuar ndaj Pogradecit aktivizova 3 lojtarë të rinj. Më herët, kisha testuar edhe 2 të tjerë.

Sikurse e dini, mbi 80% e ekipit përbëhet nga lojtarë 18- 20-vjeçarë, çfarë na detyron të mos afrojmë shumë futbollistë të rinj. Nëse duam vërtet të pretendojmë, kërkohen së paku 5-6 lojtarë me shumë përvojë. Por, që nga portieri Dobjani, Kacbufi, Zeqiri, Zekolli, Lila, Shimaj, janë të gjithë 20-vjeçarë. Përbërja nuk na lejon dhe nuk na interesojnë futbollistë shumë të rinj, ndaj besoj se 2 të tillë do të ishin mjaftueshëm. Ne do t’ua japim shansin të gjithëve dhe kush ta meritojë do të qëndrojë në ekip”, përfundoi numri një i pankinës së verdhezinjve.

Ndeshjen e shkuar nga U19 u aktivizuan Muzhaqi, Rexha e Musta, ndërkohë që më parë ishte aktivizuar Lila. Përballë Tomorit pritet që të aktivizohen edhe një herë këta të rinj, për të dhënë një OK përfundimtar. Sigurisht që, ndaj Tomorit nuk do të mungojnë në fushë emra me peshë si Tafili, Hyseni, Perja apo ndonjë tjetër, por duket se rezultati i këtij 90-minutëshi mbetet më i parëndësishmi për Besën.

FERIZ FERIZAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"