Asnjë kontratë e re dhe prezantime, Flamurtari me sytë nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2020 | 18:01

Asnjë kontratë e re dhe prezantime, Flamurtari me sytë nga FIFA

Flamurtari mbetet me “sytë” nga FIFA. Edhe pse drejtuesit e tij këmbëngulin se merkatoja nuk është bllokuar dhe nuk ka asnjë çështje të tillë, diçka nuk shkon në sistemin e regjistrimit të lojtarëve. Kampionati mund të nisë nga momenti në moment, por skuadra nuk mund të quhet ende e kompletuar. E konfirmon këtë edhe fakti që deri më sot klubi nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të re dhe rrjedhimisht nuk janë bërë as prezantimet e rastit.
flamurtari
Pak ditë më parë, nga burime të “Panorama Sport” pranë klubit, është mësuar se ka një akord me dy ish-lojtarë për shlyerjen e tyre me këste, kështu që nuk do të ketë probleme për merkaton. E megjithatë, FIFA ende nuk e ka dhënë ende OK-in. Kjo është situata aktuale te Flamurtari, me lojtarë që presin të firmosin kontratën dhe më pas të prezantohen. Kohët e fundit në Vlorë kanë ardhur serbi Tarik Çmajçanin, maqedonasi Burak Menga dhe Alvi Ahmetaj e Stiven Puci, ish-lojtarë të Luftëtarit. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk ka firmosur ende. Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim dhe nëse edhe këta lojtarë do të bëhen pjesë e Flamurtarit, gjithmonë nëse merkatoja do të zhbllokohet.
flamurtari
BRAZILIANËT – Në Vlorë synojnë që të afrojnë edhe të paktën dy lojtarë të tjerë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se ata janë lojtarë të huaj, konkretisht brazilianë. Megjithatë, nuk dihet nëse do të arrijnë që të afrohen, për shkak se gjithçka varet nga “qeveria” botërore e futbollit. Ata cilësohen si elementë që do të bëjnë diferencën në Kategorinë e Parë, por pa u zhbllokuar sistemi i transferimeve, ata nuk mund të vijnë në Shqipëri. Në Vlorë thonë se lojtarëve iu prenë edhe biletat që të vinin javën e kaluar, por udhëtimi me sa duket është anuluar dhe shkak mund të jetë bërë bllokimi i merkatos.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"