Asnjë humbje në 11 ndeshje të luajtura/ Erzeni super, “mbret” në merkato dhe… miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 12:25

Asnjë humbje në 11 ndeshje të luajtura/ Erzeni super, “mbret” në merkato dhe… miqësore

Sezoni 2021-2022 e gjen Erzenin të transformuar. Nëse vjet vuajtën jo pak dhe me zor siguruan mbijetesën, ky vit do të jetë histori tjetër.

Erzeni 2-0

Klubi nuk është kursyer aspak gjatë merkatos dhe me 18 afrime të bëra zyrtarisht, janë kthyer në “mbretër” të Kategorisë së Parë.

Askush nuk ka bërë më shumë përforcime se shijakasit (ndonëse pjesa dërrmuese e ekipeve i kanë nga 10 prurje) dhe nuk kanë marrë lojtarë dosido, por nga ata që kanë CV të pasur dhe kanë luajtur në nivele të larta në Kategorinë Superiore. Hidi, Raboshta, Xhemalaj, Meta, Mehmeti, Boçi, Deliallisi, Beci, Enzo, Peqini, Ymeri, Musaj, Avdiu, Enk, Goga, Velaj, Llanaj apo Osmanllari janë vënë nën urdhrat e Nevil Dedes dhe i japin luksin që të ndërtojë formacionin që do, pa pasur sikletin e një stoli të varfër.

Numrat në merkato nuk janë gjithnjë kriter për të treguar nëse je apo jo pretendent, por Erzeni e ka treguar edhe në fushë që është në një nivel tjetër.

Kanë zhvilluar 11 miqësore në verë dhe përfundimisht janë të frikshëm. Asnjë humbje e pësuar, mes 6 fitoreve dhe 5 barazimeve. Janë përballur me rivalë të çdo kategorie, duke dëshmuar se janë në rrugën e duhur.

Sinjale të mira kanë dhënë edhe sulmuesit, veç prapavijës që është një blind. Mjafton të shohësh bilancin dhe kupton se me emra si Jasmin Raboshta (8 gola), Jurgen Peqini (5 gola) apo Albi Xhebrahimi (4 gola), golat nuk do të jenë një problem.

ERZ

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"