Asnjë humbje/ Elbasani krenohet me shifrat, por kreu mbetet mision

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 23:55

Asnjë humbje/ Elbasani krenohet me shifrat, por kreu mbetet mision

Akademia e Futbollit Elbasani e mbylli këtë vit në vendin e dytë, vetëm dy pikë larg kryesuesve të Pogradecit. Synimi i elbasanasve është vendi i parë, si mundësia më e sigurt për të siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë.

AF ELBASANI

Gjithsesi, llogaritë për sezonin bëhen vetëm në fund, aty ku shpresojnë të marrin këtë pozicion. Megjithatë, viti kalendarik që po lëmë pas është konsideruar në tërësi pozitiv për verdheblutë, pasi fillimisht arritën që në vitin e parë të ngjiteshin nga e Treta në të Dytën, madje si kampionë.

Ajo që është më e rëndësishmja, AF Elbasani nuk e ka njohur ende shijen e humbjes në ndeshjet zyrtare që nga krijimi i tij një vit më parë. Duke llogaritur këtu gjithë sezonin e kaluar në Kategorinë e Tretë, duke mos rrezikuar asnjëherë që të dilnin të mundur nga fusha dhe këtë sezon, ku si rezultate “negative” njohin vetëm dy barazime, një në transfertë me Pogradecin dhe më pas në shtëpi me Devollin.

Një ecuri tejet pozitive, duke ruajtur ende me fanatizëm kolonën zero të humbjeve. Me këtë ritëm verdheblutë synojnë të vazhdojnë edhe në 2023-shin, që shpresojnë ta kurorëzojnë me një tjetër arritje, ngjitjen sërish një kategori më lart. Për këtë arsye, elbasanasit kanë bërë merkato cilësore me lojtarë të afirmuar në futbollin shqiptar.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"