Asnjë humbje dhe gol të pësuar, rrëfimi i trajnerit Rustemi: Ja “sekretet” e Labërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 22:29

Asnjë humbje dhe gol të pësuar, rrëfimi i trajnerit Rustemi: Ja “sekretet” e Labërisë

Debutues dhe pretendentë seriozë – kjo është emblema që i shkon përshtat një nga ekipeve më karizmatike të Kategorisë së Dytë, Labërisë. Me pjesëmarrjen e parë në Kategorinë e Tretë, ngjitet një “kat” më lart dhe prapë është diktuese në Grupin B të Kategorisë së Dytë, me statistika mbresëlënëse: 6 fitore, 2 barazime, 0 humbje. Kanë një golavarazh prej 14 golash të shënuar dhe 0 të pësuar, duke blinduar kreun me 20 pikë! Dhe të mendosh që nuk ka një fushë të vetën, por si pritëse luan në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Për të na zbuluar më shumë rreth këtij ekipi, mendon vetë trajneri. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Arlind Rustemi rrëfen sekretet e “labëve”.

laberia

Labëria po dikton Kategorinë e Dytë në debutim. E kishit menduar këtë paraqitje?

Rezultatet të arritura deri më sot janë produkt i punës, përkushtimit, mundit dhe sakrificës të lojtarëve në çdo seancë. Kujtoj që e kemi filluar organizimin e skuadrës në muajin gusht dhe besoj që kemi qenë skuadra e parë në këtë aspekt. Pra, ecuria nuk është e rastësishme. Duke pasur dhe mbështetjen kryesore nga presidenca, në korrektësinë e pagesave dhe kushteve të krijuara, e them me plot gojën që nuk jemi aksidentalisht në këto pozicion.

Luani gjithë kohës jashtë fushe, por këtë handikap e keni sfiduar. Ka një sekret kjo ecuri?

Pavarësisht se i kemi zhvilluar të gjitha ndeshjet jashtë, për ne nuk ka qenë problem faktori fushë, por më tepër kushtet në disa terrene të tjera që ndonjëherë mund të bëhen faktorë edhe për rezultatin. “Sekreti” ynë është harmonia dhe fryma e grupit, duke i kushtuar shumë rëndësi organizimit, si në aspektet financiare, ashtu dhe në ato infrastrukturore.

Skuadrën tuaj po e pagëzojnë “Labëria e Fierit”, për shkak të stadiumit ku luani si ekip pritës. Por, duam të dimë ku e ka bazën skuadra juaj?

Labëria është e të gjithëve! Baza e skuadrës dihet që është Vlora dhe jemi një ekip që financohet plotësisht me fonde private. Por, Labëria nuk është vetëm e kësaj krahine. Me futbollin dhe rezultatet tona, duam të kemi tifozë në të gjithë Shqipërinë.

Është folur për një mjedis sportiv për të zhvilluar ndeshjet si skuadër pritëse. Gjer ku kanë shkuar zhvillimet?

Sa i përket mjedisit sportiv, jemi në fazat e fundit, madje shpresojmë që ndeshjen e radhës ta luajmë në shtëpinë tonë.

arlind rustemi

Një trajner si ju, në moshë më të re se ndonjë lojtar i skuadrës, si e keni gjetur gjuhën e “profesorit”?

Po, është e vërtetë që në skuadër janë afruar lojtarë me mjaft përvojë, si: Kuqi, Halili, Beqiri, Begaj. Me të katërt kam luajtur qysh nga moshat, deri tek ekipi i parë i Flamurtarit dhe nuk e kam pasur të vështirë komunikimin, sepse jam natyrë e qetë dhe çdo gjë kërkoj të arrihet nëpërmjet dialogut, duke përfshirë gjithë skuadrën, gjë që deri tani ka rezultuar e suksesshme. Secili bën punën e vet me përgjegjësi dhe ndërgjegje të lartë.

Si ka ndryshuar skuadra gjatë kësaj merkatoje dimërore?

Kemi bërë edhe ne lëvizjet tona. Për dijeni të lexuesit, po ju njoh me hyrje-daljet e Labërisë. Janë larguar: Aulon Velaj, Fatmir Bega, Kristi Halili, Enea Memushaj, Keidi Beshiri dhe Halim Begaj, teksa jemi përforcuar me prurje që mendoj se janë cilësore: Kristian Mataj, Xhonatan Merkaj, Fransi Caushllari dhe Ervis Kasaj.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"