Asnjë fitore kundër Starovës, Hasan Lika: E thyejmë Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2017 | 10:17

Asnjë fitore kundër Starovës, Hasan Lika: E thyejmë Partizanin!

Luftëtari ka mbyllur dje përgatitjet javore dhe skuadra e trajnerit Hasan Lika është gati për të sfiduar Partizanin. Në seancën e fundit përgatitore, Lika disa herë është ndalur në momentet e ekzekutimit të goditjeve standarde, korrigjimit të pasimeve në zona të shkurtra, të kushtëzuara këto me mbulimin e kundërshtarit.

Lika Hasan

Takimi do të luhet sot, në orën 13:00, në stadiumin “Gjirokastra”. Një sfidë që vë përballë dy trajnerë të shkollës së kuqe si Sulejman Starova dhe Hasan Lika, të cilët në vitet 1990-1994 kanë drejtuar Partizanin dhe titulli i fundit që kanë fituar të kuqtë është arritur pikërisht nga kjo dyshe teknikësh në sezonin 1992-1993.

Edhe pse Lika në karrierën e tij sportive nuk ka triumfuar ndaj ishkolegut Starova, si pjesë e skuadrave të Teutës dhe Lushnjës, për takimin e sotëm me Partizanin, përmes batutave, ai ka pohuar se pret ta “thyejë akullin” ndaj Starovës dhe Luftëtari të vijojë rezultatet pozitive.

LIKA

Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Luftëtarit u shpreh: “Për ndeshjen me Partizanin ndihemi optimistë. Kemi shpresuar gjithnjë se situatën e vështirë të pikëve në klasifikim do ta kalonim. Ndaj Partizanit vijmë në një situatë shumë të mirë duke e krahasuar me ndeshjet e shkuara. Gjithsesi, djemtë kërkojnë gjithmonë maksimumin.

Ne kërkojmë çdo ditë më të mirën, do përmirësohemi akoma në lojë, edhe pse jemi në zonën ‘e ftohtë’. Po përmirësohemi në shfrytëzimin më të mirë të rasteve sepse ato nuk na kanë munguar, por finalizimi s’ka qenë i suksesshëm. Ne këto dy drejtime jemi fokusuar dhe do të fokusohemi që të marrim ndonjë futbollist në janar.

Ekipin e Partizanit e njohin të gjithë, ndaj ne jemi përgatitur duke ditur vlerat e individëve dhe lojës që zhvillon kundërshtari. Në këtë drejtim kemi punuar gjatë kësaj jave. Edhe pse jemi në zonën ‘e ftohtë’ në klasifikim, kemi rritje optimizmi. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne do vazhdojmë të luftojmë.

Hasan Lika

 

Mungesat? Aleksi mungon për arsye skualifikimi, ndërsa Toledo nuk është i gatshëm për shkak të gjendjes fizike. Partizani i Starovës? Unë e njoh mirë Partizanin, por me ardhjen e Starovës gjërat kanë ndryshuar dhe optimizmi pas 4 sukseseve radhazi e bën më shumë të vështirë përballjen e sotme.

Të mbështetur te futbollistët të rëndësishëm në sulm, përmes egos dhe besimit të lojtarëve, përfituam në shënimin e golit ndaj Kamzës. Megjithatë, ne duhet të luajmë nga fillimi deri në fund dhe këtë gjë kërkoj edhe ndaj Partizanit. Çdo ndeshje e trajtojmë në kompleksitet. Ndaj me masat që kemi marrë, si në mbrojtje dhe në sulm, ndaj Partizanit besojmë se do të arrijmë fitoren, aq më shumë që luajmë edhe në shtëpi”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"